RCCOLA

Kamenica shënon ditën e çlirimit me aktivitete të shumta

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kamenicë – Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për nder të 18 Qershorit, Ditës së Çlirimit ka mbajtur disa aktivitete. Fillimisht janë bërë homazhe tek “Varrezat e Dëshmorëve” në Lagjen Malësia, ku nënkryetari i komunës, Faton Jakupi, së bashku me kryetarin e veteranëve të luftës së UÇK-së, Milaim Limani, dhe zyrtarë nga komuna kanë nderuar dëshmorët e rënë.

Aktiviteti për nder të “Ditës së Çlirimit” vazhdoi me mbajtjen e një seance solemne të Kuvendit Komunal, në Shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, në një lidhje direkte uroi të gjithë të pranishmit për “Ditën e Çlirimit”, duke thënë se ndonëse në kushte të jashtëzakonshme në distancë, të gjithë duhet të jemi të bashkuar në idetë dhe qëllimet tona.

“21 vite më parë, ndërsa dilnim nga lufta, humbja e shkatërrimi, afroheshim më afër shpresës shekullore për liri e pavarësi. 21 vite më parë po shkelnim një dimension të ri organizimit shoqëror, të përjetimit individual e të mundësive për një jetë ndryshe. Një jetë pa frikë, pa cenim e pa ndëshkime raciste e klasiste. 18 qershori 1999 është një datë që i rikthehemi me krenari e vullnet. Sepse kjo kohë shënon ndryshimin e rrjedhës së historisë për shoqërinë tonë, nga robëria në çlirim, nga sundimi në pavarësim. Kur kthehemi e reflektojmë për këtë datë s’mund të mos e mendojmë një nga përcaktuesit kryesor të saj. Ky përcaktues është padyshim ëndrra. Ëndrra e atyre që rezistuan. Ëndrra e atyre që u përkushtuan. E atyre që sakrifikuan. E atyre që shpresuan”, ka thënë Kastrati.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Kamenicës, që krenarinë e 18 qershorit ta përkthejmë në punë, dashurinë për vendin ta shprehim me respekt ndaj tjetrit, e ëndrrat për të ardhmen t’i realizojmë sot.

Uji Dea

Nënkryetari i komunës, Faton Jakupi, uroi të gjithë për “Ditën e Çlirimit” të Kamenicës duke thënë se duke kujtuar të kaluarën dhe vlerat e atyre që u sakrifikuan Kamenica është duke ecur përpara.
“Në këtë përvjetor po kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që bënë të mundur këtë ditë, brezat e tërë që e ndërtuan vizionin e Kosovës së lirë. Vlerësojmë kontributin e secilës familje e të secilit qytetarë, por kryefjala e kësaj historie të lavdishme janë heronjtë dhe dëshmorët e kombit”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i veteranëve të luftës së UÇK-së në Kamenicë, Milaim Limani, uroi të gjithë për këtë ditë duke thënë se pa gjakun e dëshmorëve nuk do të mund ta gëzonim këtë ditë.

“Sot është dita më e rëndësishme e komunës tonë, dita e lavdisë, e sakrificës. Këtë ditë nuk do të mund ta gëzonim pa gjakun e dëshmorëve tanë, pa sakrificën e heronjve tanë.
Sakrifica, mundi, përkushtimi, lufta jonë për liri e pavarësi nuk u ndal asnjë çast. Ne besuam në popullin tonë, besuam në punët tona, andaj ua uroj këtë ditë me shpresë që Dardana jonë të zhvillohet dhe të përparoj”, ka thënë ai.

Këto aktivitete u përmbyllën me ekspozitën e fotografive dhe dokumentarin që pasqyron 18 qershorin e vitit 1999, në Shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit”./rajonipress/