Kamenica shembull pozitiv i përkrahjes së gruas në vendimmarrje
Gjilan – Kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, tha se janë përkrahur kërkesat dhe propozimet të cilat kanë ardhur prej zyrës për barazi gjinore dhe nga grupi i grave të Kamenicës, dhe kemi përkrahur konkretisht nëpërmes aprovimit të buxhetit.
Në organizim të Grupit të grave të Kamenicës dhe Zyrës për Barazi Gjinore është mbajtur takim me grupin e grave të komunës së Kamenicës, përfaqësues nga komuna e Gjilanit, Ferizajit, përfaqësues të OSBE-së dhe të tjerë. Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli.
Kryetarja e Grupit të Grave, Besa Hoxha Krasniqi, ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë takim. Ajo tha se gjatë këtij takimi do të kemi mundësi t’i shkëmbejmë edhe përvojat e mira mes vete në rajonin tonë.
Ndërsa, Kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, tha se janë përkrahur kërkesat dhe propozimet të cilat kanë ardhur prej zyrës për barazi gjinore dhe nga grupi i grave të Kamenicës, dhe kemi përkrahur konkretisht nëpërmes aprovimit të buxhetit.”Besoj se është pak për ngritjen e një niveli më të lartë të përfaqësimit të gjinisë femërore në shoqërinë tonë. Kjo është një ndihmë modeste që ne kemi bërë , përndryshe e dimë se ka nevojë edhe më shumë për shkak se femrat ende nuk janë të përfaqësuara sa duhet” tha Surdulli.
Ai tha se parimisht i përkrahim aktivitetet dhe përkrahim punën që e bëjnë gratë dhe besoj se do vazhdojmë edhe në të ardhmen duke bërë një përkrahje edhe më të madhe për shkak se është e nevojshme që femra të japë kontributin e tyre, sikurse që janë kontribuuese të mëdha në familje.
Kryetarja e Grupit të grave nga komuna e Gjilanit dhe ajo nga komuna e Ferizajit, kanë falënderuar për ftesën që u është bërë, dhe kanë përgëzuar grupin e grave të Kamenicës për punën e mirë që ka bërë.
Ndërkaq, përfaqësuesja e OSBE-së, Sadete Tërnava, ka thënë se jo rastësisht sot jemi në këtë takim. “Kamenica po tregon çdo ditë e më tepër dhe po ndihmon aktivitetet dhe ngritjen e gruas në të gjitha nivelet e punëve në komunë e në këtë rast edhe ngritjen e nivelit të vendimmarrjes. Tema e sotme që kemi ardhur për të marrë pjesë me grupin e grave të Ferizajit, padyshim se është shumë e rëndësishme, ngase ju na keni dhënë një shembull të mirë se si duhet të kuptohen në mes veti për ta vënë gruan në marrjen e vendimeve” tha ndër të tjera Tërnava.
Zyrtarja për Barazi gjinore, Teuta Kastrati, gjatë këtij takimi me projektorë ka bërë prezantimin e punës së grupit të grave dhe zyrës për barazi gjinore. Ajo tha se aktivitetet të cilat kanë përfunduar janë: Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të luftës kundër kancerit, me moton “ Gratë në ndihmë për gratë”, në komunën e Kamenicës, janë ndihmuar 47 gra të prekura nga kjo sëmundje me nga 100 euro, aktiviteti tjetër është ai i rolit të gruas në komunë me moton “ Gratë dhe fuqizimi i gruas”, ndërsa, aktivitet tjetër ishte edhe shënimi i 8 –Marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Për nderë të kësaj feste ne kemi ndihmuar 40 gra kryefamiljare me kushte të rënda ekonomike, ku për secilën familje është dhuruar një pako ushqimore dhe higjienike në vlerë prej 50 eurove.
Zyrtari kryesor Financiar, Naser Hashani, thotë se nga regjistrimi i fundit numri i popullsisë në komunën e Kamenicës është 36.085 banorë, prej tyre të punësuar në komunë janë 4783, apo 13.21 % nga numri i përgjithshëm i banorëve, femra të punësuara janë 538 ose 11.25 %, ndërsa meshkuj 4245 apo 88.75 %./rajonipress/


