Kamenica sanon vet pasojat e shkaktuara nga vërshimet

Gjilan – Faton Biqkaj zëdhënës i komunës së Kamenicës tha për rajonipress se edhe pse i tërë raporti me shifrat e sakta nga vërshimet i është dorëzuar Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrive tjera për ndihmë, deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ne tashmë si komunë kemi filluar vet sanimin e pasojave që shkojnë deri në 631 mijë euro.
Faton Biqkaj zëdhënës i komunës thotë se komuna e Kamenicës me kapacitetet e veta që ka dhe me mundësit e saja buxhetore deri tani ka intervenuar për të ofruar zgjidhje pas vërshimeve në fshatrat Krilevë, Meshinë, Desivojc, Tuxhec, Gjyrishec, Lisockë, Zhujë, Shahiq e Maroc, raporton rajonipress.
Biqkaj tha se ndihma e institucioneve qendrore për komunën e Kamenicës ka qenë shumë e nevojshme dhe ende presim në një ndihmë pozitive nga Qeveria. “Në fshatrat e përfshira nga vërshimet ne kemi intervenuar për të kthyer gjendjen në normalitet pasiqë atje ka pasur ura të dëmtuara dhe rrugë tërësisht të shkatërruara. Kemi arritur që tani ato ura e rrugë t`i bëjmë funksionale në mënyrë që banorët mos të ndihen të izoluar” tha Biqkaj.
Ndryshe nga vërshimet e fundit që shkaktuan shirat në fshatrat e Kamenicës sipas një vlerësimi që ka bërë një komision komunal i këtij qyteti dëmet arrijnë në 631 mijë euro derisa janë dëmtuar rreth 72 hektar tokë bujqësore.
Faton Biqkaj thotë se ky raport i është dorëzuar Ministrisë së Infrastrukturës, Bujqësisë, Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe zyrës së kryeministrit.
Biqkaj tha se fshatrat që më së shumti janë prekur nga vërshimet janë : Krileva, Strezoci, Koretini, Hogoshti, Muqiverci, Rogana, Kopernica, Desivojca, Shipashnica, dhe Topanica dhe fshatra tjera./rajonipress/