Kamenica me aktivitete shënon ditën kundër duhanit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Me moton “ Merr frymë shlirë”, të premten në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”, në Kamenicë është shënuar 31 Maji “ Dita Ndërkombëtare kundër duhanit”, organizuar nga Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut.

Nazmije Demolli-Kastrati, Koordinatore e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se çdo vit shënimi i 31 majit “ Ditës Ndërkombëtare kundër duhanit”, është pjesë e përpjekjeve, që synojnë të ulin kërcënimet që pirja e duhanit ka për shëndetin e njeriut .

Ajo tha se sipas, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, llogaritet se çdo 6.5 minuta në botë vdes një njeri nga pasojat e pirjes së duhanit, kështu rreth 5 milion persona gjejnë vdekjen në një vit.

“Duhani paraqet sot njërin prej kërcënimeve të mëdha të shëndetit publik dhe në këtë aspekt është krijuar korniza ligjore për luftimin e duhanit, ndërsa politika të mira janë ato që mundësojnë zbatimin e tyre” ka thënë Kastrati.

Uji Dea

Ndërkaq, Dr. Ferid Beqiraj, Inspektor Sanitar, foli për ligjin e duhanit, pasojat dhe sëmundjet që mund të shkaktohen nga konsumimi i duhanit.

Ai foli edhe për nenin 11, pika 11.1 të ligjit për duhanin, në të cilin nen thuhet se të gjitha institucionet që merren me edukimin dhe arsimin e fëmijëve dhe të rinjve obligohen që të ndërmarrin aktivitete që promovojnë vetëdijesimin e popullatës së re mbi dëmet që shkakton pirja e duhanit.

Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, ka shpërndarë edhe fletëpalosje./rajonipress/