Kamenica dhe ADA Austria me projekt të përbashkët në bujqësi

/ 2 minuta lexim

Kamenicë – Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e ADA Austria Christian Geosits, Atashe dhe udhëheqës i zyrës si dhe Arsim Aziri, udhëheqës i administratës. Në takim u bisedua për përgatitjet për fillimin e projektit të përbashkët në sferën e bujqësisë.

Ky projekt do të filloj së implementuari në qershor të këtij viti dhe do të zgjasë tri vite, ndërsa në kuadër të tij fermerët kamenicas do të kenë mundësinë e përfitimit të granteve të ndryshme dhe përvojave të reja në sferën e bujqësisë.

Nënkryetari Matoshi ka falënderuar Qeverinë Austriake për mbështetjen që po i bën Kamenicës dhe fermerëve të saj dhe e ka vlerësuar atë si mjaft të rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës.

Eco Higjiena

”Ne jemi të përkushtuar që të kryejmë detyrat tonë në kuadër të këtij projekti, kryetari Sinani është angazhuar që përsa i përket këtij projekti të ketë edhe ekip të veçantë mbështetës me qëllim që sa më shumë fermerë kamenicas të jenë përfitues të granteve. Gjithashtu komuna do të bashkëfinancojë pjesën e saj me qëllim të mbështetjes sa më të madhe të bujqësisë në komunën tonë” tha nënkryetari Matoshi.

Së shpejti Komuna dhe ADA Austria do të nënshkruajnë edhe marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërsa përfituese të projektit përveç Kamenicës janë edhe Prishtina dhe Novobërda./rajonipress/