RCCOLA

Kamberi në parlamentin serb ku u votua për Daçiqin: Nuk jeni i denjë për votën tonë, mohuat krimet e luftës e po fshihni varrezat masive

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Mohimi i krimeve të luftës në Kosovë, deklaratat për fshehjen e varrezave masive dhe shprehja e tij me përbuzje ndaj pakicave, ishin arsyet për të cilat grupi parlamentar, Lugina e Bashkuar dhe SDA Sanxhaku nuk kanë votuar për zgjedhjen Ivica Daçiqit si kryetari i parlamentit të Serbisë.

Gjatë fjalimit të tij si përfaqësues i këtij grupi parlamentar, deputeti shqiptar, Shaip Kamberi tha se ata nuk i kishte konsultuar askush as për këtë kandidaturë, e as për formimin e qeverisë, e pavarësisht kësaj përmendi edhe arsye të tjera për të cilat ata nuk votuan për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.

Kamberi tha se nuk do të votojnë për Daçiqin sepse ai i përket kohës së politikanëve që kanë nxitur e shkaktuar tragjeditë e përgjakshme dhe krimet e luftës në Kosovë.

“Por, arsyeja përmbajtjesore e mos votimit tonë për Ivica Daçiqin për kryetar parlamenti ka të bëjë me faktin se Daçiq i përket nomenklaturës politike e cila ka nxitur dhe shkaktuar tragjeditë e përgjakshme të viteve 90-ta dhe krimet e luftës në Kosovë”, u shpreh ai në parlamentin serb.

Mohimi i krimeve të luftës medie dhe domosdoshmëria për fshehjen e varrezave masive për të cilat Daçiq u deklarua publikisht ishin edhe një arsye më shumë që bëri deputetët shqiptarë e boshnjakë të mos merrnin pjesë fare në votim.

“Aq më tepër, deklaratat e tij të fundit, përmes të cilave mohon krimet e luftës ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe hapur, në mediumet publike flet për domosdoshmërinë e fshehjes së varrezave masive të shqiptarëve në Serbi, e bën atë të padenjë për votën tonë”, tha Kamberi.

KKVITI

Kamberi theksoi se Daçiq nuk paraqet personalitet i cili meriton përkrahjen e deputetëve të pakicës në Serbi.

“Grupi parlamentar Lugina e Bashkuar dhe SDA Sanxhakut nuk do të votojë për zgjedhjen e Ivica Daçiqit për kryetar të parlamentit. Me ne askush nuk ka zhvilluar konsultime as për kandidaturën për kryetar parlamenti as për krijimin e qeverisë së re për të cilën po dëgjojmë nga mediat. Si personalitet i cili hapur flet me përbuzje për pakicat, Daçiq nuk paraqet personalitetin që meriton përkrahjen e gjithë deputetëve sidomos jot ë pakicave”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Kamberi theksoi se ishte vet Daçiq që nisi procesin e shlyerjes së shqiptarëve dhe boshnjakëve nga evidenca e vendbanimeve në Serbi.

“Derisa ishte ministër i policisë, Ivica Daçiq, ka nisur procesin e shlyerjes së shqiptarëve dhe boshnjakëve nga evidenca e vendbanimeve duke ndikuar kështu në ndryshimin artificial të strukturës etnike në këto rajone, prandaj edhe vota jonë nuk do të jepet për këtë kandidat”, tha Kamberi.

Ndryshe, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiq ka marr besimin e plotë të deputetëve për të udhëhequr këtë institucion shtetëror, raporton b92.

Nga 226 deputetët e pranishëm në seancën konstituive, vetëm një prej tyre ishte kundër liderit të SPS-it, gjersa 225 votuan pro.