Kamberi: Kryeministrit serb, nuk i zihet besë

Ish-kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi thotë se aq sa e njeh Serbinë, dyshon se ajo do të ndalet veç me një fond të posaçëm për katër komunat veriore të Kosovës, dhe pret që Asociacioni i komunave veriore, t’u sigurojë serbëve kompetenca ekzekutive.
“Tash nuk është e qartë ende, sa i përket kompetencave ekzekutive që i ka ky asociacion, do të shihet në bisedat e mëtejshme, edhe pse të gjitha sinjalet që vijnë nga Serbia, janë se pa ndonjë marrëveshje konkrete, vështirë se do të shpërbëhen strukturat paralele. Prandaj, në këtë aspekt, mund të pritet që asociacioni i komunave të veriut, përveç fondit të veçantë të garantuar, të fitojë edhe kompetenca të caktuara ekzekutive. Tash për nivelin e tyre, nuk mund të flasim, nuk ka ndonjë indikacion se çfarë do të jenë. Por, nëse kjo veç ndodh dhe Kosova pajtohet me këtë, atëherë në tavolinën e bisedave, sigurisht se duhet të shtrohet edhe çështja e diçkaje të ngjashme me Luginën e Preshevës”, ka thene Kamberi, në një intervistë për Evropën e Lirë.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, porosit se kryeministrit serb, Ivica Daçiq, nuk i zihet besë, edhe kur flet për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.
“Kryeministri Daçiq në deklarimet e veta të fundit, pas krizës së lapidarit, ka thënë publikisht se ai preferon konceptin e ndërrimit të territorit. Por, ajo që është e papranueshme në këtë koncept, është se Ivica Daçiq mendon në ndërrimet që kanë të bëjnë vetëm me Preshevën, pa përfshirë edhe Bujanocin. Për shqiptarët e Luginës së Preshevës e vetmja mundësi e ndërrimeve, do të ishte vendosja e kufirit të vitit 1912. Koncepti më i mirë është që përmes krijimit dhe respektimit të parimit të reciprocitetit, pra ajo që do të krijohet si institucion me kompetenca politike apo ekzekutive për serbët e Kosovës, të jetë e aplikueshme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, dhe mendoj se do të jetë zgjidhja më paqësore, dhe zgjidhja më e drejtë në këtë moment”, theksoi ai.