RCCOLA

Kamberi kërkon nga Kosova e Serbia ta trajtojnë në dialog çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), i cili është kandidat për deputet nga lista “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, ka thënë sot se pas konsultave të kësaj liste me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në lidhje me përbërjen e Qeverisë së re të Serbisë, nuk pret diçka të veçantë sepse diskutimi ka qenë “protokollar” dhe se bisedime të tilla ka pasur edhe pas zgjedhjeve të parafundit parlamentare.

Kamberi, për të përjavshmen serbe “Vreme”, ka thënë se “të jesh shqiptar në Serbi është shumë e vështirë, si për shkak të raporteve ndaj Kosovës, ashtu edhe për shkak të stereotipave nga e kaluara të cilat në shoqërinë serbe janë shumë të pranishme”.

Ai tha se gjatë takimit me Vuçiqin është përmendur edhe dialogu me Kosovën, veçanërisht në kuptimin e “domosdoshmërisë së gjetjes së një zgjidhjeje për njohjen e diplomave universitare të cilat të rinjtë shqiptarë i marrin në Kosovë”, transmeton Zeri.info.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, Kamberi ka thënë se përfaqësuesit shqiptarë nga jugu i Serbisë (Lugina e Preshevës) për këtë temë kanë pasur kontakte edhe me qeverinë në Kosovë, nga e cila kanë kërkuar që në vazhdim të dialogut me Serinë të jetë temë e pashmangshme e rendit të ditës edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Me vite të tëra, nga përfundimi i përleshjes së armatosur më 2001, ne vazhdimisht po pa sukses tentojmë që problemet tona t’i zgjidhim në dialogun politik me Beogradin. Meqë përpjekjet tona të deritanishme nuk kanë sjellë rezultatet e pritura, atëherë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit e shohim si mundësi që këto probleme të zgjidhen”.

“Nuk besojmë në stabilizim të qëndrueshëm të raporteve Kosovë-Serbi pa zgjidhjen e çështjes së të drejtave tona”, theksoi Kamberi.

Në pyetjen se si shqiptarët e Serbisë e shohin idenë për shkëmbim territoresh, ai tha se kjo ide “nuk gjen mbështetje as në vetë Kosovën”.

“Është e dukshme se as aktorët kryesorë ndërkombëtarë nuk e mbështesin atë. Kështu që ideja e reciprocitetit për të drejtat me të drejtat që ua garanton Kosova serbëve, është opsioni ynë politik”, deklaroi ai.

Uji Dea

Sipas tij, shqiptarët në jug të Serbisë “nuk janë për asnjë opsion, i cili, në afatgjatë mund t’i dëmtojë interesat e Kosovës”.

I pyetur se si e sheh të ardhmen e jugut të Serbisë, Kamberi tha se ky duhet të jetë “një rajon që do të kishte raporte me Kosovën dhe me Shqipërinë, me kufij relativë”.

“Kosova është shtet i pavarur, dhe pavarësisht rezistencës së Beogradit, ajo nuk mund të anulohet. Sa më shpejt që pranohet, aq më mirë për të gjithë, e mbi të gjitha për serbët që jetojnë në Kosovë. E ardhmja e raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, si dy popujt më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, qëndron në respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”.

“Një burrështetas i mirë duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë në momentin e duhur”, shtoi ai, transmeton Zeri.info.

Kamberi tha se është i vetëdijshëm se kjo do të jetë vështirë e arritshme, por se beson në marrëveshjen përfundimtare.

“Shtrohet pyetja se cila është alternativa e marrëveshjes? Status quoja? Kjo s’është e mirë as për shqiptarët as për serbët”, deklaroi kreu i PVD-së, Shaip Kamberi.

Duke folur për tri mandatet e fituara nga shqiptarët në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, Kamberi tha se këta tre deputetë “as Vuçiqit e as mandatarit të ri nuk i nevojiten për shumicë parlamentare dhe në këtë kontekst nuk jemi të interesantë”.

“Por demokracia nuk është vetëm çështje numrash, shumicë e thjeshtë apo e kualifikuar. Demokracia, mbi të gjitha, nënkupton trajtim të drejtë ndaj të tjerëve, kryesisht ndaj pakicave kombëtare. Në këtë kontekst, as presidenti Vuçiq e as demokracia serbe nuk kanë shumë hapësirë për lëvdata. Pozita e minoriteteve sot, pavarësisht faktit se Serbia gjendet në procesin e eurointegrimeve, është e vështirë”, theksoi kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi.