UBT

Kamberi: Integrimin e Serbisë në BE, veç Kosovës e ka vonuar edhe Lugina e Preshevës

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Bujanoc- Intervistë me Shaip Kamberi, kryetar i degës së PVD-s në Bujanoc dhënë agjencisë “Presheva Jone”.

Nënkryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, njëherësh dhe kryetar i degës së PVD-së, në Bujanoc, në një intervistë dhënë për “Presheva Jone”, flet për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Luginë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe fati i Luginës, aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar në Luginë dhe sa është unik faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës, në realizimin e verdiktit të popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992.

Xhandarmeria dhe politika diskriminuese e Beogradit në Luginën e Preshevës po kthejnë Serbinë mbrapa

“Presheva Jone”: Fillimisht zoti Kamberi, pas provokimeve të fundit të xhandarmerisë serbe cila është gjendja aktuale në Bujanoc, Luginë të Preshevës ?

Kamberi : Provokimet e fundit të cilat qeveria e Serbisë po ia bën shqiptarëve me stacionime të reja të forcave të xhandarmerisë, ngritjen e minibazave për forca speciale, sikurse edhe emërimi i një personi të margjinalizuar të politikës serbe, siç është Zoran Stankoviq, janë sinjale të qarta se Serbia edhe në të ardhmen do të vazhdojë që ndaj shqiptarëve të sillet sikurse në 11 vitet e zhvillimit të procesit politik në Luginë i cili nuk ka dhënë rezultatet e veta as në zhvillim ekonomik, as në çmilitarizimin e rajonit, aq më pak në realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve.

Prandaj, lirisht mund të themi se vonesat e integrimeve të Serbisë në BE-në, veç Kosovës është edhe politika diskriminuese e Beogradit në Luginën e Preshevës. E them këtë me plotë përgjegjësi, sepse sa isha kryetar i komunës së Bujanocit nga gjitha takimet dhe bisedat me personalitete e diplomatë ndërkombëtar, në reagimet tona mbi regjimin, ata na premtonin se do t’i përcjellin si vërejtje këto shqetësime autoriteteve serbe në Beograd për të hekur dorë nga politika diskriminuese e cila do të ishte në favor të Serbisë, për t’i hapur rrugë integrimeve të këtij vendi në instancat ndërkombëtare.

Komunalit e sodit në Bujanoc shiten si “borxhli” dhe mbahen si “esnafë” me makina luksoze ?!

« Presheva jonë » : Jeni të kënaqur me qeverisje e aktuale në komunë dhe flitet se komuna paska pasoja me disa « borxhe nga ish-pushteti lokal »…Për çka është fjala këtu konkretisht ?

Kamberi : Vlerësimin rreth funksionimit të vetadministrimit multietnik lokal do ta japin qytetarët e Bujanocit, dhe ndoshta është herët të flitet për mosrealizimin e premtimeve parazgjedhore. Prandaj çfarëdo vlerësimi im në këtë moment mund të keqinterpretohet si subjektiv. Sa i përket “pasojave” për të cilat flasin ata që kanë dashur me ia lënë arkën plot me euro e mandej ata me i menaxhua po jap një shembull konkret. Si është e mundur që ndërmarrja më e obliguar me borxhe, të rinovojë zyrën e drejtorit të ri duke i blerë edhe mobile të reja, por, duke u përgatitur që t’i blejë edhe makinë të re !?

Por, ajo që të le të kuptosh se « është diçka e kalbur në këtë pushtet » është fushata e diferencimeve ideopolitike që po zhvillohet që nga krijimi i tij, sidomos ndaj aktivistëve të PVD-së dhe disa aktivistëve të partive tjera rivale. Të përjashtosh shqiptarë nga puna për të krijuar vende për militantët partiak dhe partnerët serb, mendoj se paraqet kulmin e antikombëtarizmit që po e dëshmon kjo qeverisje. Numri i shqiptarëve nëpër institucionet e vetadministrimit lokal, edhe pas 10 vjet qeverisje të kësaj komune nga partitë shqiptare nuk i përshtatet strukturës së popullatës, që do të thotë se shqiptarë ka më pak të punësuar se sa e kërkojnë vetë ligjet e Serbisë, dhe kur në shtëpinë e shëndetit, në të cilin struktura e të punësuarve është 5 : 1 në favor të serbëve, përjashtohen shqiptarët, kjo flet se ky pushtet po dështon në parimin kryesor të barazisë së shqiptarëve në të drejta. Apo ndoshta këtë e kërkon bossi nën hije i Bujanocit, Stojança Arsiq?

“Presheva Jone”: Dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë veç ka rifilluar por edhe kësaj radhe pa përfaqësimin e Luginës së Preshevës. Çka do të thotë kjo?

UBT

Kamberi : Duke patur parasysh qëndrimin e Bashkësisë ndërkombëtare, në mesin e saj edhe të miqve më të mëdhenj të shqiptarëve se këto biseda po zhvillohen vetëm për Kosovën, as që ka qenë e pritshme që Lugina e Preshevës të ketë përfaqësuesit e vet në këtë delegacion. Por, ajo që është e rëndësishme për ne, është se duhet insistuar në aplikimin e parimit të reciprocitetit në respektimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Respektivisht, vetë Kosova të ketë të drejta të ndihmojë bashkëkombësit e vet në Luginë në formën, mënyrën dhe me mjetet me të cilat Serbia ndihmon serbët e Kosovës.

“Presheva Jone”: Çka mund të na thoni lidhur me aktivitetet për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar në Luginë?

Kamberi : Në përvjetorin jubilar (100-të) të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përkundër faktit se kombi shqiptar nuk ka realizuar aspiratat e veta të gjithëmbarshme, mund të thuhet se ka përparime të mëdha. Këto në radhë të parë shihen në faktin e pavarësimit edhe të Kosovës, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por, edhe mundësive reale që edhe Kosova edhe Shqipëria të jenë pjesë e mekanizmave të BE-së. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk kanë ndonjë entuziazëm sa i përket situatës aktuale, shpresa mbetet që Kosova dhe Shqipëria të dinamizojnë përpjekjet për ndihmë më të madhe për përmirësimin e statusit tonë. Të në po zhvillohen disa aktivitete modeste për shënimin e këtij përvjetori. Ato kanë filluar gjatë verës që shkoi, kur Këshilli Kombëtar kishte sjellë Ansamblin shtetërorë nga Shqipëria në vazhdën e disa manifestimeve që ka organizuar ky institucion. Edhe OVL, sidomos duke rikujtuar dëshmorët e Kombit po jep kontributin e vet në këtë drejtim.

Kamberi: Edhe vetë Nagip Arifi ishte prezent në « spektaklin », siç e quan, me rastin e ngritjes së flamurit në ballkonin e komunës, kur unë isha kryetar

“Presheva Jone”: Pas 100-vjet pavarësi të shtetit shqiptar, Lugina pa flamur. Pse? A do të valojë sivjet flamuri në ballkonin e godinës së Komunës se Bujanocit sikur vitin e kaluar që për dikë u duk si «spektakël» ?

Kamberi : Ngritja e flamurit në mënyrë të organizuar në ndërtesën e komunës së Bujanocit në vitin 2008, 2009, 2010 dhe 2011 kishte për qëllim t’i bëhet me dije autoriteteve në Beograd se shqiptarët nuk pajtohen me zgjidhjet e cunguara ligjore në këtë sferë që Serbia po mundohet të na imponojë.

Prandaj, duke e ngritur flamurin nga zyrtarët komunal është dërguar ky mesazh. Në anën tjetër, nuk kemi dashur të na përsëriten situatat e viteve të mëhershme, veçanërisht ajo e vitit 2006, kur në mungesë të ngritjes së organizuar të flamurit nga pushtetarët e atëhershëm të rinjtë e UÇPMB-së ishin futur në komunë dhe e kishin vendosur flamurin kombëtar. Mandej, ndaj tyre, shërbimet serbe kishin iniciuar procedura penale, që kanë shkaktuar që disa prej tyre edhe sot ta gjejnë veten në mërgim vetëm për t’i ikur dënimeve të paarsyeshme.

Nëse populli i cili ishte tubuar për ta përcjellë këtë akt e kishte përshëndetur, nuk ka konsideruar se kjo ishte spektakël, është cinizëm i llojit të vet që këtë akt të tillë ta quajë ai i cili bashkë më mua, zotin Jonuz Musliu dhe zotin Nagip Arifi kishte qëndruar në atë « spektakël » të ballkonit, edhe pse dy vjet më herët kur kishte qenë në krye të komunës, kishte dërguar zyrtarë të administratës të bëhen dëshmitarë në rastin e ndjekjes së atyre që kanë vendosur flamurin në komunë me 2006.

“Presheva Jone”: Në këtë rajon u mbajt një referendum para më shumë se një decenie. Sa është unik faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës, në realizimin e verdiktit të popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992?

Kamberi : Me Platformën politike të vitit 2006 Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginë së Preshevës, është pajtuar për mos-ndryshimin e kufijve në Ballkan, por, me përcaktimin se këtë qëndrim do ta përkrahë derisa Bashkësia ndërkombëtare ta përkrahë integritetin territorial të Kosovës. Kjo do të thotë se në rast të kundërt shqiptarët do të kërkojnë bashkim me Kosovën.

Prandaj, duke patur parasysh zhvillimet e reja, bisedat mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se duhet insistuar në krijimin e standardeve unike në sferën e respektimit të të drejtave të komuniteteve siç thonë në Kosovë, me qëllim të pengimit të krijimit të pakicave të privilegjuara në Ballkan, çfarë po tentohet me serbët e Kosovës. Mendoj se shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet garantuar niveli i njëjtë i të drejtave çfarë do të gëzojnë serbët në Kosovë. Këto biseda mund dhe duhet të shfrytëzohen edhe për këtë çështje./ rajonipress/