RCCOLA

Kamberi çon mesazh në Preshevë, Tiranë e Beograd: Qendër për Luginën është Prishtina

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Shaip Kamberi është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, por i padëshirueshëm aty. Gjatë kësaj jave, para presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në Kuvendin e Serbisë u kërkua arrestimi ose dëbimi i Kamberit. Për qëndrimin e tij politik në Beograd tashmë e di secili , por Kamberi, nuk përton të pozicionohet edhe në raport me shqiptarët. Në një përgjigje për Gazetën Express përveç kryeqytetit serb, ai ka çuar një mesazh edhe në Preshevë e Tiranë – “Për ne qendra është Prishtina”.

Shaip Kamberi përsëri ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë, kur Kuvendi i Serbisë debatoi gjerë e gjatë për Kosovën.

Për shkak të qëndrimeve të tij, një deputete nga partia e Milloshevqit kërkoi që ai të arrestohet ose dëbohet.

Reagime aty s’pati pothuajse të gjithë u pajtuan, që shqiptari i vetëm në atë tempull jo aq demokratik duhet ta marrë “dënimin meritor”.

Paralelisht me të, një politikan nga Presheva, Kryetari Shqipërim Arifi po bënte një betejë të tij. I injoruar nga Kurti, Arifi udhëtoi drejt Tiranës, ku e priti Erion Veliaj ndërsa në Prishtinë gjeti mikpritje në selinë e LDK’së nga Nënkryetari Lutfi Haziri.

Për të gjitha këto Kamberi ka qëndrim.

Në një intervistë për Gazetën Express, ai thotë se për Luginën Prishtina është qendra.

”Pa Kosovën, Lugina do ta ketë të pamundur ekzistencën biologjike me një Serbi të këtillë”.

Kamberi e konfirmon interferimin e Qeverisë Kurti në Luginë për të krijuar një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare.

“Por nuk ia arriti, sepse disa mendonin se “Kosova nuk duhet të përzihet në punët e tona”. “Rebelimin” e Arifit, Kamberi e quan joserioz edhe pse është i kujdesshëm në fjalor.

Ish -kryetari i Bujanocit në intervistën për Express flet edhe për dialogun, kornizën e re që po përflitet dhe qëndrimin e Serbisë rreth njohjes së Kosovës.

Intervistoi: Sefer Zogaj

Gazeta Express: A ndjeheni i sigurt pas thirrjes së deputetes serbe për arrestimin ose dëbimin tuaj, a mund të kërkoni mbrojtje?

Shaip Kamberi: Këtu nuk mendoj se duhet shtruar çështjen vetëm në aspektin e sigurisë time. Problemi qëndron se në organin më të lartë shtetëror, në prezencën e presidentit të shtetit dëgjohen tone fashiste për dënime mesjetare nga një deputete. Çështja është se nëse një shqiptar në cilësinë e deputetit nuk ka garanca sigurie, cila do të jetë gjendja e një qytetari të zakonshëm shqiptar. Mungesa e aftësisë për përballje me realitetin, koncepti dogmatist ndaj Kosovës, mungesa e gatishmërisë për kërkim falje për krimet e kryera, janë ajo që shpërfaq deklarimi i deputetes së Millosheviqit dhe heshtja e presidentit serb ndaj toneve raciste e fashiste të shprehura në prezencë të tij.

Gazeta Express: Kryeministri Albin Kurti kur flet për fazën finale të dialogut me Serbinë, nuk është që i përmend edhe shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës. A mendoni se Kosova po iu anashkalon, dhe a duhet që të përfshiheni në marrëveshjen finale?

Shaip Kamberi: Nuk mund të ketë marrëveshje të mirëfilltë me Serbinë pa trajtimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Unë ia thashë edhe presidentit serb se kurrë nuk do të pajtohemi se në Ballkanin Perëndimorë duhet të ekzistojnë standarde të ndryshme në trajtimin e të drejtave të pakicave. Reciprocitet është një parim që e zgjidh këtë problematikë dhe mendoj që kryeministri Kurti bën mirë kur insiston në aplikimin e këtij parimi.

RCCOLA

Gazeta Express: Si e shihni mungesën e komunikimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Preshevës e cila udhëhiqet nga Shqiprim Arifi. Z. Shqiprim Arifi ka qenë shumë kritik ndaj kryeministrit Kurti duke e akuzuar edhe për interferime politike në Luginë?

Shaip Kamberi: Është rregull që periferia duhet të koordinohet me qendrën, sepse forca e gravitacionit është në qendër. Për ne qendra është Prishtina, prandaj edhe harmonizimi i politikave tona duhet të bëhet me Prishtinën, sidomos për shkak të faktit që ne presim që Prishtina të jetë këmbëngulëse ndaj Serbisë për trajtim të barabartë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Prandaj edhe agjenda jonë politike duhet të harmonizohet me Prishtinën. Kushdo që mendon se Lugina e Preshevës duhet të jetë e pavarur nga ndikimi i Kosovës e ka gabim dhe kjo shkon në dëm të interesave tona. Është për të ardhur keq që kur udhëheqësit e caktuar lokal në Luginë të Preshevës dalin me qëndrime se “Kosova nuk duhet të përzihet në Luginë”. Pa Kosovën, Lugina do ta ketë të pamundur ekzistencën biologjike me një Serbi të këtillë.

Gazeta Express: Besoni që ka ndërhyrje të Qeverisë së Kosovës në proceset e brendshme politike të Luginës?

Shaip Kamberi: Nëse angazhimin e qeverisë në Prishtinë për të ndërtuar një listë të përbashkët palamentare, mund të them po. Prishtina, me vullnet të mirë, është angazhuar për ndërtimin e një liste parlamentare shqiptare për zgjedhjet në Serbi. Por nuk ia arriti, sepse disa mendonin se “Kosova nuk duhet të përzihet në punët e tona”. Pra i vetmi “interferim” i Kosovës zyrtare në Luginë të Preshevës ishte vullneti dhe gatishmëria për të ndihmuar për një projekt politik të përbashkët. Tani, ata që nuk dëshën të jenë pjesë e këtij projekti, akuzojnë Kosovën dhe qeverinë e saj se nuk ndihmon shqiptarët. Kjo nuk është serioze as ndaj Kosovës e aq më pak ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevs.

Gazeta Express: Diskutohet shumë për Asociacionin. A mendoni se do të ishte e pranueshme që të themeloheshin në mënyrë reciproke, pra që të ketë një Asociacion edhe për shqiptarët në Luginë?

Shaip Kamberi: Qëndrimi jonë është i qartë. Në Ballkanin Perëndimor nuk duhet lejuar standarde të ndryshme në trajtimin e ndërsjellë të pakicave. Prandaj reciprociteti si parim është mundësi që dy shtetet, në marrëveshjen eventule, njëtrajtshëm të ofrojnë garancione për trajtimin e njëjtë të pakicave të ndërsjella.

Gazeta Express: Nëse jo Asociacion, a mendoni se është zgjidhje shkëmbimi i territoreve (me kushtin që Lugina i bashkohet Kosovës, dhe zgjidhet përfundimisht ky problem)?

Shaip Kamberi: Nuk shoh se dikush e përkrah këtë ide. Ajo ishte kundërshtuar fuqishëm nga BE. Nëse edhe kishte dilema për qëndrimin e SHBA, situata aktuale, në të cilën SHBA i jep përkrahje pa rezervë dialogut të Brukselit, është e qartë se konturat e dialogut kanë të bëjnë me gjetjen e një zgjidhje në të cilën kjo ide nuk zën vend.

Gazeta Express: Apo konsideroni që ideja e prekjes së kufijve ka vdekur?

Shaip Kamberi: E thashë, për momentin asnjë faktor relevant nuk e përmend e as që e përkrah. Prandaj, mendoj se, kjo ide, nuk është në tryezën e bisedimeve.

Gazeta Express: Duke qenë se jeni gjatë në politikë. Kurti po insiston në marrjen e njohjes nga Serbia. Vuçiq po thotë se s’e njeh asnjëherë Kosovën. Cila mendoni se është rruga përpara. Është propozuar që Kosova të heq dorë nga synimi për njohjen reciproke?

Shaip Kamberi: Kjo do të ishte zgjidhja ideale. Dy shtete që kanë luftuar mes veti dhe bëjnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve dhe njohje reciproke është ideja që më së shumti i duhet jo vetëm raporteve të ndërsjella por gjithë Ballkanit. Megjithatë, nëse Bashkësia ndërkombëtare (SHBA) nuk shtrojnë trysninë e duhur mbi Serbinë për ta pranuar këtë realitet, ajo vështirë të realizohet me një Sebi e cila urren Millosheviqin jo pse e ka nisur por pse e ka humbur luftën.

Në këtë rast për Kosovën është imperativ anëtarësimi i saj në OKB dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Anëtarësimi i Kosovës në NATO përfundimisht do ta shuante ëndrrën serbe.

Gazeta Express: Si e lexoni momentumin aktual te krijuar në dialog, ku shohim një përfshirje të madhe të faktorit ndërkombëtar. A mund të kemi një marrëveshje finale shpejtë?

Shaip Kamberi: Është nëj momentum i rëndësishëm. Një përfshirje e cila shpresoj nuk do të venitet, por, do të rritet edhe më tej duke bërë ndikimin e nevojshëm drejt Serbisë për ta çuar dialogun drejt marrëveshjes