RCCOLA

Kamarja e pikëllimit

/ 2 minuta lexim

Nga Meti Rexhepi – Tragjedia e autobusit në Kroaci, ku u shuan dhjetëra mërgimtarë tanë.

ishte pjekur pjekur e pjekur malli
që të mos digjej pa e prekur vatrën
të ndaheshin kafshatat e bukës së pjekur
të ngjyhej në faqe e ballëza malli
edhe me mëlmesën e pluhurit të Dardanisë
por orët kishin zgjatime vitesh
laura bezdisëse dhe rrjeta
vija shirit-bardha dhe lëbyrja
përpara trupave kishin fluturuar
puthjet e relievit të zhuritur
kësaj vere buzëqeshjesh të vizatuara
por se si nxiu dielli i lotuar
dhe mallin tuaj të fërguar e ngriu
në zemra e buzë pritjesh
udhëve të gëzimit të pikturuar
me ngjyra të ndezura
rrëshqet akujve të pikëllimit
përmbysen trupat thyhen gjymtyrët
përfytyrimet presin bashkëngjitjet
dhe veniten si bima pa ujë e dritë

Mobi Casa

lotët mëtojnë të shkrijnë akuj
shndërrohen në akuj
të vetmin shpjegim lotët
i japin kuptim mërgimit
malli i pjekur u spërkat me gjak
për të mos u djegur e shkrumbuar për së gjalli
tej cakut të barit të djegur të një livadhi
mall i prerë
pemët e prisnin pjekjen e frutave me ju
në shpirtra jashtë kalendarit
vjeshtë e shirave të pikëllimit e vajit
Kosovës kaherë i kemi kënduar dhe lotuar
miq të dhimbjes e të gazit
shirat dhembshurie prore riguan mbi ne
nëse nuk do të lotoja mbi këtë kamare
djerrina ime do të merrte shtrirje të egër
të dyfishohej prore për hyrje trajtash të egra
për gërryerje aortash të zemrës dhe pëlcitje venash
mbi kamaren e shpirt-ndjerëve i falem pikëllimit
le ta kem hisen time të përdëllimit

Gjilan, më 25 korrik