RCCOLA

Kaltrina Mikushnica: Bukuria justifikohet me zgjuarsi

/ 5 minuta lexim

Është një modele 23 vjeçare shumë e suksesshme e lindur në Vushtrri. Kaltrina Mikushnica gjithmonë është prezente në gjitha pistat e modës në Kosovë dhe jashtë vendit.

A jo ka qenë fytyra reklamuese në shumë marka të ndryshme të njohura tek ne dhe suksesi i saj nuk ka të ndalur. Krahas bukurisë që Kaltrina ka ajo është edhe një vajzë shume e zgjuar e cila edhe pse është shumë e suksesshme në botën e modës modelimin e ka vetëm hobi.

Ajo nga i gjithë publiku cilësohet ndër modelet më të bukura dhe më të suksesshme në botë. Ajo në jetën e saj private është një njeri shumë i thjeshtë dhe shumë e zgjuar, zgjuarsia e saj i ka ndihmuar që të triumfoj në botën e modës. Kaltrina ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri.” Ajo na ka treguar që tashme është fejuar dhe është shume e dashuruar. Për të kuptuar se çfarë mendon ajo se mund të jetë çelësi i suksesit për të depërtuar në botën e modës dhe çfarë do t’ju propozonte ajo modeleve të reja?

Kur keni filluar te merreni me modelim dhe si erdhi deri tek kjo?
-Me modelim kam filluar në moshën 19 vjeçare, kur me ka ardhur oferta e parë për photoshooting të një firme në Kosovë.

Cilat kanë qenë synimet e juaja kur keni filluar dhe cilat janë synimet tani?
Nuk kam qenë nga ato vajzat që e kanë pas ëndërr të jete fotomodele. Vetëm se dashuria ime për foto dhe aparatin me ka shtyrë pa vetëdije të futem në këtë treg.

Çfarë do të ndryshonit në botën e modës në Kosovë?
Hmmm e kemi vërejtur se çdo herë jemi një vit mbrapa modës, nuk e di se ku është problemi, do preferoja që stilistët të jenë më të angazhuar në ndjekjen e trendëve në botë.

Sa e vështirë është të depërtosh në botën e modës në Kosovë?
Nëse i qëndron besnike vetes dhe punon shumë në këtë aspekt nuk është e vështirë. Çdo gjë në jetë i ka vështirësitë e veta mjafton të kemi vullnet dhe të mos dorëzohemi asnjëherë. Atëherë edhe do të kemi suksese në çdo rrugë që mund të kemi zgjedhur.

Cilat kanë qenë projektet e fundit dhe me çfarë po merreni tani?
Projekti i fundit ka qenë photoshootingu me një kreatore fustanesh, për momentin jam duke e prezantuar emisionin ‘Vikendi’ i cili transmetohet në RTK çdo të diele. Së shpejti do të pozoj për linjën time të re të fustaneve.

A është për ju hobi apo profesion modelimi?
Modelimi për mua është me shumë hobi.

Çfarë do t’ju propozonit modeleve të reja?
Modeleve të reja do t’ju propozoja që të jenë sa më shumë vetja e tyre dhe mos ta harrojnë për asnjë moment se bukuria është diçka e çmueshme, nëse kjo bukuri nuk justifikohet me zgjuarsi ajo merr fund në mundësinë e parë që të është ofruar.

Uji Dea

Cili është çelësi i suksesit në botën e modës?
Çelësi i suksesit është që pamja të cilën e shohin njerëzit në fotografi duhet të jetë e pëlqyeshme e kjo nuk do të thotë se duhet të jetë gjithmonë një njeri me pamje të bukur, por duhet të dijë si ta paraqet atë, e unë mendoj se këta njerëz duhet të jenë të lindur për atë.

Nga cilat modele inspiroheni apo pëlqeni?
Jasmine Sanders

Cila është moto e juaj jetësore?
Mënyra më e mirë për t’i realizuar ëndrrat është të zgjohemi nga gjumi dhe fituesi asnjëherë nuk ndalet, e ata që ndalen asnjëherë nuk fitojnë.

A jeni e lumtur me jetën që keni tani dhe çfarë do të ndryshonit?
Sigurisht që jam e lumtur me jetën që kam. Unë jam një person që e do jetën shumë dhe prandaj gjithmonë mundohem ta shfrytëzoj jetën maksimalisht dhe të jem e lumtur gjatë këtij udhëtimi.

Çfarë do të ndryshonit tek rinia kosovare?
Si çdo rini edhe rinia jonë ka ëndrra për të ardhmen, mesazhi im për ta do ishte që mos t’i lënë ëndrrat vetëm me kaq, të mundohet me çdo kusht t’i realizojnë, kurrë nuk i dihet, krejt çka na duhet është të punojmë më shumë, të kenë vetëbesim më shumë… Është një thënie shumë e bukur: “Nëse lufton mund të humbësh, nëse nuk lufton atëherë ke humbur gjithsesi”.

Çfarë personi është Kaltrina në jetën private?
Në jetën private i kushtoj kohë shumë shoqërisë dhe familjes.

Çfarë roli ka dashuria në jetën e juaj dhe a jeni e dashuruar?
-Jam shumë e dashuruar dhe e fejuar.

Ku e shihni veten pas 10 vitesh?
Nuk bëj plane afatgjate.

Mesazhi juaj për lexuesit e gazetës “Zëri”?
Leximi i gazetës është kulturë.