Eko Higjiena

Kalorësi i armiqësive

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

​Nga Burim Ramadani – Maqedonia e sotme vazhdon t’i krijojë probleme vetes më shumë se çdokush tjetër që do të mund t’i krijonte. Vazhdon të jetë në marrëdhënie jo të mira me pothuajse të gjithë fqinjtë e vet dhe, në të njëjtën kohë, në marrëdhënie plotësisht të paqëndrueshme brenda vetes. Edhe në raportet e qeverisjes, edhe në raportet ndër-etnike.

Për një shtet të tillë, të vogël e të varfër, e gjitha që do të duhej të mungonte do të ishte armiqësia. E këtë, Maqedonia e ka me bollëk.

Një shtet që mezi qëndron në këmbë, ka marrë orientimet më të gabueshme qeverisëse, të brendshme dhe fqinjësore, si dhe gjeopolitike që shtetet individuale mund të marrin në Ballkan. Derisa ‘bombat’ e përgjimeve të llahtarshme po trondisin me javë të tëra jo vetëm shtetin e Maqedonisë, por edhe opinionin më gjerë, derisa shqiptarët si shtet-formuesit kryesor mbeten të shkelur dhe pa të drejta qytetare meritore, derisa shteti udhëhiqet nga ajo që ngjason me Polici Sekrete, presidenti maqedonas ishte ndër të paktë burrështetas në “Paradën e Fitores” në Rusi e, në të njëjtën kohë, Qeveria maqedonase u orientua kah operacionet e aparatit të dhunës.

Maqedonia duket se edhe është orientuar mjaft dukshëm kah interesat gjeopolitike të gabuara, edhe është orientuar dukshëm kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Një kombinim i tillë nuk mund të funksionojë në Maqedoninë e këtillë çfarë është sot, nuk mund të funksionojë në Ballkan dhe nuk mund të funksionojë në shekullin që po jetojmë!

Qeveria e atjeshme, e zhytyr në afera nga më të ndryshmet, nuk ka dhënë asnjë përgjigje të domosdoshme rreth asaj që ndodhi në Kumanovë. As çka ndodhi dhe as pse ndodhi! As pse nuk u parandalua dhe as pse u përdorë kjo qasje joqytetare! As cila është e vërteta më e thellë që i ka paraprirë një situate të tillë!

Thjesht, terr informacioni mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Shqiptarët e atjeshëm, të organizuar nëpër parti politike të më shumë se një dekade, kanë mbetur po ashtu në terr informacioni. Liderët politikë shqiptarë të atjeshëm, jo vetëm që nuk arritën të ndërtojnë situatë të avancuar për shqiptarët, por edhe tashmë pas këtij zhvillimi të fundit të rëndë nuk morën kurajon të pozicionohen qartazi dhe prerazi.

Në të tillë situatë, pra terr informativ, mbeten edhe shqiptarët dhe lidershipi i tyre në Kosovë e në Shqipëri. Prandaj, duket qartë se edhe mesazhet e ndryshme të lidershipit në Prishtinë e Tiranë janë të papërqendruara në rrënjët e problemeve.

Eco Higjiena

Maqedonasit, në anën tjetër, të ‘bombarduar’ nga ato që po quhen “Bombat” e Zaevit janë sjellë para një situate jashtëzakonisht të paqëndrueshme: t’i besojnë një udhëheqësi me tipare të dukshme totalitare, që qeverisjen e ka kthyer si oborr mbretëror absolut dhe e ka vënë vendin e tyre në shërbim të interesave gjeopolitike të gabueshme?!

Maqedonia e sotme vazhdon t’i krijojë probleme vetes më shumë se çdokush tjetër që do të mund t’i krijonte. Nuk është se sfidat e këtilla janë të momentit dhe që nuk kanë ndërlidhje më të gjerë të pozicionimit të Maqedonisë.

Maqedonia vazhdon të jetë në marrëdhënie jo të mira me pothuajse të gjithë fqinjtë e vet dhe, në të njëjtën kohë, në marrëdhënie plotësisht të paqëndrueshme brenda vetes. Edhe në raportet e qeverisjes, edhe në raportet ndër-etnike. Për një shtet të tillë, të vogël e të varfër, e gjitha që do të duhej të mungonte do të ishte armiqësia. E këtë, Maqedonia e ka me bollëk.

Jo sepse të tjerët nuk e duan Maqedoninë. Por, për shkak se ata nuk po e duan veten. Nuk po e duan orientimin kah demokracia, kah stabiliteti rajonal, kah bashkëpunimi ndër-fqinjësor, kah bashkëpunimi ndër-etnik.

Pozicionimi i politikës së Gruevskit është sjellja më dashakeqëse ndaj shtetit të Maqedonisë. Dhe, jo vetëm këto muaj. Por, me vite të tëra. Edhe fakti se Maqedonia nuk është vend anëtar i NATO-s i adresohet qartazi një pjese të politikës së maqedonasve, dhe jo krejt shtetit. Jo krejt popullit.

Prandaj, Maqedonia duhet ta qartësojë veten kushtetshmërisht si shtet i maqedonasve dhe shqiptarëve. Të kthehet kah demokracia dhe liritë e të drejtat e njeriut. Të anëtarësohet në NATO, duke u tërhequr nga politikat turbo-budallëllaqe kundër ndryshimit të emrit, si dhe të ndryshojë mentalitetin qeverisës. E kundërta, do të mund të jetë vërtetë e kundërt!

Duke bërë të gjitha këto, Maqedonia edhe mund të ndryshojë politikat ndaj fqinjve të vet, e kështu të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjithë.

Në rend të parë, me shqiptarët!