Fundamenti

Kalon propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

REL merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.

Sipas propozimit të miratuar, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 26 shtetesh evropiane.

Vendet e tjera të rajonit ka më shumë se një dekadë që gëzojnë udhëtimin pa viza.

Çka do të thotë lëvizje e lirë ne zonën Schengen?

Hidromorava

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtim pa vizë vetëm deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) dhe jo leje pune apo të drejtën për të jetuar në ndonjërin nga shtetet, pjesë të zonës Schengen.

Shtetet në të cilat mund të udhëtohet pa viza janë ato të Bashkimit Evropian (Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Kroaci, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi). Pastaj në Islandë, Norvegji, Zvicër e Lihteshtajn. Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Schengen.

Nga momenti që do të hiqet regjimi i vizave për Kosovën, të drejtën për të udhëtuar pa viza do ta kenë të gjithë qytetarët e vendit që posedojnë pasaporta biometrike. Megjithatë, qytetarëve u rekomandohet që gjatë udhëtimit të kenë me vete dokumentet që dëshmojnë për gjendjen e tyre financiare, vendin se ku do të qëndrojnë, arsyet e vizitës dhe sigurimin shëndetësor. Kjo për shkak se policia kufitare e shtetit Schengen ka të drejtën t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast të dyshimit se do të mund të keqpërdorej liberalizimi i vizave.

Ky proces do të kursej kohë dhe para, për shkak se qytetarët nuk do të kenë nevoje të bëjnë pagesën për vizë si dhe të realizojnë termin për të njëjtën.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen.

Në rast se dëshironi të studioni në një nga shtetet Schengen, atëherë ju duhet të pajiseni me vizë që mundëson qëndrimin tuaj më të gjatë se 90 ditë. Për këtë duhet të kontaktoni ambasadën e shtetit në të cilin planifikoni të studioni.

Në rast se ju dëshironi të vijoni trajnime, kurse afatshkurta të cilat nuk kërkojnë qëndrim më të gjatë se 90 ditë, atëherë ju mund të përfitoni nga procesi i liberalizimit të vizave dhe nuk do të keni nevoje të pajiseni me vizë shtesë.

Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të liberalizimit të vizave, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës, shënim zyrtar në dosjen tuaj ku figuron shkelja dhe e fundit dhe ndalimi i hyrjes së zonën Schengen në të ardhmen. Ky ndalim zakonisht vlen për tre deri në pesë vitet në vijim. Për më tepër, në rast se vërehet një numër i dukshëm i abuzimeve me të drejtën e udhëtimit pa vizë, atëherë Bashkimi Evropian mund të suspendojë liberalizimin e vizave për shtetin përkatës./Telegrafi/