Kallëzimet e dobëta të Policisë bllokojnë Prokurorinë
Rastet e vogla zvarrisin trajtimin e aferave korruptive
“Kjo paraqet pengesë shumë të madhe në punën e Prokurorisë, saqë ata ngufaten me lëndë të tepërta dhe të panevojshme, të cilat mund të zgjidhen në mënyrë tjetër, duke kërkuar bashkëpunimin adekuat të Policisë”, theksoi avokati Tomë Gashi, shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Lëndët e natyrës së korrupsionit të lartë, në të cilat shumë herë është përfolur se dyshohet të jenë të implikuar vetë qeveritarët, apo edhe zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit, deri më tash thuajse ato asnjëherë nuk janë nxjerrë në dritë, porse kanë mbetur të paprekura diku nëpër sirtarët e Prokurorisë.
Sipas njohësve të kësaj fushe, nuk duhet që të luhet në këtë mënyrë, që çështje të ndjeshme të zvarriten, derisa në anën tjetër lëndë të rëndësisë së vogël të dërgohen nëpër gjykata për t’u gjykuar.
Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se fillimisht në këtë drejtim prokurorët nuk duhet që të mbingarkohen me lëndë penale, duke pranuar çdo kallëzim penal të Policisë, edhe pse shumica e tyre nuk janë të kompletuara ashtu siç e kërkon ligji, pasi në shumicën e rasteve në kallëzimet penale mungojnë edhe provat të cilat, siç ka thënë ai, Policia e ka për obligim që t’ia dërgojë prokurorëve, ndërsa prokurorët nuk e shfrytëzojnë në shumicën e rasteve të drejtën e tyre që lëndët, respektivisht kallëzimet penale t’ia kthejnë Policisë për plotësim, në mënyrë që ata t’i plotësojnë të gjitha ato që i kanë edhe obligime ligjore, por, sipas tij, punën e Policisë shpeshherë tenton që ta kryejë vetë Prokuroria, gjë që Gashi thotë se është gabim, ngase kjo e stërngarkon Prokurorinë me lëndë, ku një pjesë e të cilave nuk janë të kompletuara. “Kjo paraqet pengesë shumë të madhe në punën e Prokurorisë saqë ata ngufaten me lëndë të tepërta dhe të panevojshme, të cilat mund të zgjidhen në mënyrë tjetër, duke kërkuar bashkëpunimin adekuat të Policisë”, theksoi ai.
Kryeprokurori të vlerësojë performancën e stafit
Ndërkaq, sa u përket prokurorëve, të cilët i mbajnë në sirtarët e tyre lëndët e korrupsionit, Gashi ka nënvizuar se ata prokurorë duhet të japin përgjegjësi para Këshillit Prokurorial apo para shefit të tyre, Kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezit. “Me rastin e marrjes së detyrës, Aleksandër Lumezi ka premtuar se do të shikojë, do të analizoj dhe do të vlerësoj performancën e secilit prokuror në Republikën e Kosovës, kështu që ajo është çështje e tij që të organizojë punën e Prokurorisë së Kosovës lidhur me vlerësimin, kontrollimin e atyre prokurorëve, të cilët eventualisht mbajnë në sirtarët e tyre lëndë të korrupsionit të lartë të qeveritarëve, apo edhe të zyrtarëve të lartë të shtetit, e të cilat lëndë kanë prioritet në punën e prokurorëve. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet të gjendet zgjidhja, e cila duhet të jetë përfundimtare, e jo të luhet në këtë mënyrë që çështje të ndjeshme të zvarriten, derisa në anën tjetër lëndë të rëndësisë së vogël të dërgohen nëpër gjykata për t’u gjykuar”, ka deklaruar ai.
Eksperti i fushës së sundimit të Ligjit, Blerim Burjani tha për gazetën “Kosova Sot” se rrugëdalje për të dalë nga kjo situatë ka gjithnjë, por, sipas tij, kërkohet vetëm vullnet dhe funksionim i pavarur i organeve të drejtësisë. Burjani mendon se këtu duhet rishqyrtuar disa çështje, si atë të zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, që duhet të bëhen nga vetë këto institucione. Burjani thotë se çështje tjetër shumë e rëndësishme është edhe ajo e autonomisë financiare të këtij sistemi, pastaj çështja e reformës kadrovike, reformimi i administratës gjyqësore, etj.
Sistemi i dështuar dhe korruptiv
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka theksuar se vetë fakti se shumë lëndë janë grumbulluar tregon se diçka nuk është në rregull në sistemin e drejtësinë, i cili, sipas saj, pos të tjerash është një sistem i përfolur edhe nga Raportet e Progresit që flasin për Kosovën çdo vit, ku e etiketojnë si sistem të dështuar dhe korruptiv. “Grumbullimi i lëndëve është shqetësues, ndërsa zvarritja e atyre lëndëve të aspektit korruptiv është më shqetësues, pasi një nga kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave është edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe nëse vazhdohet me këtë formë dhe nuk do të luftohen këto dukuri me raste, po ashtu gjykime dhe dënime konkrete, atëherë nuk pritet asgjë tjetër pos dështim në këtë lëmi, po ashtu edhe në liberalizimin e vizave”, theksoi ajo. “Kësisoj, drejtësia duhet të jetë më efikase në kryerjen e detyrave, pasi nuk ishte dashur që të zvarriten lëndët, por që të trajtohen të gjitha lëndët njëjtë, pavarësisht natyrës së tyre, pasi është shumë e pakuptimtë që lëndët të presin me vite të patrajtuara”, ka pohuar deputetja nga AAK-ja, Time Kadriaj për gazetën “Kosova Sot”.


