Kalket e shëmtojnë gjuhën tonë

Kalket janë përkthime fjalë për fjalë nga nji gjuhë tjetër, në gjuhën tonë, përkthimi nuk asht vetëm përkthim por asht edhe rikrijim. Fjalët dhe shprehjet të përkthyeme kështu e damtojnë rand gjuhën tonë. Të tilla fjalë dhe shprehje përdoren me shumicë nga shtëpitë folshkruese të qyteteve të verilindjes. Këto fjalë dhe shprehje kështu të përkthyeme keq vijnë nga gjuha që flitet në veri të vendit tonë.
T’i marrim e t’i shqyrtojmë disa shembuj që përdoren ma së shpeshti në të folmen tonë; për së tepërmi përdoret shprehja: – u lajmërova, flm. që u lajmërove, lajmërohu atje!, etj. (sll. javiti se, javlam se, javi se) në shembujt e gabueshëm, si: – në orën 3 u lajmërova në zyrën e …, duhet të lajmërohesh në punë në orën…, flm. që m’u lajmërove (për nji thirrje telefonike), etj. Të tilla shprehje duhet të përdoren shqip, kështu: …, në orën 3 shkova në zyrën e …, ose, aty mbërrina në orën 3…, – shkova në shtëpinë e …, flm. që erdhe me kohë…, flm. që më thirre me telefon…, flm. që nuk më ke harrue…, etj. Erdha në përfundim se (sll. doshao sam do zakluçka) në shembujt e gabueshëm, si: …, erdha në përfundim se nji veprim i tillë…, erdha në përfundim se ndryshimet klimatike…, etj. duhet: – u binda se njerëzit e tillë…, – m’u mbush mendja se ndryshimet klimatike në rruzullin tokësor…, etj.
Nuk përjashtohet mundësia që…, (sll. ne iskluçuje se moguqmost) duhet: – nuk do të thotë që ai dhe shoku i tij e lanë mbrapa atë punë…, – nuk më mbushet mendja se ndryshimet atmosferike…, etj.
Këtu bahet pagesa për tatim në pasuni…, (sll. ovde vrshi se ispllata za porez na imovinu) duhet: – këtu paguhet tatimi i pasunisë, ose këtu paguhet tatimi për pasuninë …, etj. kurrsesi nuk duhet të përdoret shprehja “tatimi në pronë” – porez na imovimu, ky asht nji turp i madh për shqipfolësit!
E mbijetoi atë gjendje, e mbijetoi atë sëmundje… (sll. prezhiveo), duhet: i kaloi ajo sëmundje…, – nga ajo vështirësi doli fitimtar…, etj.
Shkojmë në pyetjen e dytë…, (sll. idemo na drugo pritanje), duhet: kalojmë në pyetjen e dytë…, – ta shohim pyetjen tjetër…, – në radhë asht pyetja e dytë…, etj.
N. bleu nji shtëpi të re, i njejti ma parë jetonte në nji…, (sll. isti), duhet: N. bleu nji shtëpi të re ai ma parë jetonte në…, etj.
N. erdhi shpejt deri te pasunimi (sll. doshao je do), duhet: N. u pasunue shpejt.
Mbas falenderimit që ju ban dikush mbas nji pune, shërbimi, dhurate, etj. që keni ba nuk duhet të përgjigjeni me kalkun “s’ka përse” (sll. nema na çemu) por duhet të themi: me nder qofsh, qofsh i nderuem, të lutem, ju lutem, nuk bana gja, kreva punën time, etj.
Orari i punës (sll. radon vreme) duhet vetëm: orari 9-17.
Fjalët e maposhtme shkruhen kështu: arkivi, grupi, publiku, ekipi, etj. e kurrsesi: arkiva ose arshiva, grupa, publika, ekipa, etj.
Shumë duhet të kemi kujdes ndaj gjanave të tilla e të ngjashme sepse ato përnjiment e damtojnë shumë gjuhën tonë.
Qamil S. Dardhankodra
Toronto, Kanadë