UBT

Kahjet e mundshme të zhvillimit ekonomik të komunës së Kamenicës

/ 6 minuta lexim

Nga Raif Ramabaja – Vazhdoj ende të mendojë se: “Pa një ekonomi të zhvilluar, nuk ka progres as në punësim, as në arsim, as në shëndetësi,as në mirëqenie sociale dhe si e tillë edhe politika bëhet e pakuptimtë dhe iracionale”. Ekonomia nuk është sfidë e lehtë, ajo është filozofi në veti, dhe konsiderohet ndër sfidat më të mëdha të një komune dhe shteti të pazhvilluar siç është Kosova.

Në rend të parë kërkon vizion dhe profesionalizëm, dije dhe përkushtim, menaxhim të mirë dhe kreativitet,v planifikim dhe organizim, udhëheqje dhe kontrollë të mirëfilltë për të pasur sukses.

Ndër të tjera, dua të theksoj se nuk ka punësim të theksuar pa kuadro profesionale, pa kapacitete industriale-prodhuese, pa fabrika, pa investime në industrinë përpunuese, pa një reformë agrare të menduar mirë në bujqësi, por edhe pa shfrytëzimin e mineraleve disponibile që ka Kosova dhe komuna.

Ky është një realitet i hidhur sepse në komunën e Kamenicës kemi ngecje të madhe në fushën e zhvillimit ekonomik. Për këto 20 vite të pas luftës nuk është tërhequr asnjë investitor serioz ekonomik, gjë që ka ndikuar në humbje të besimit edhe te qytetarët e sidomos tek gjeneratat e reja mirëpo edhe te investitorët eventual e që konsiderohet të jetë më e keqja.

Kamenica dikur ka qenë komunë mesatarisht e zhvilluar në kuadër të Republikës së Kosovës, me mbi 4500 të punësuar në ekonomi dhe joekonomi, ndërsa sot është e fundit për nga zhvillimi ekonomik, totalisht e harruar falë qeverisjeve të kaluara, si në nivel lokal e poashtu edhe në atë qendrorë. Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP) para syve të Qeverisë së Kosovës, e në bashkëpunim me matrapazët e ndryshëm vite me radhë e ka legalizuar shkatërrimin dhe plaçkitjen e ekonomisë Kosovare dhe asaj komunale nën firmën e privatizimit. Këto kompani më nuk ekzistojnë, këto produkte më nuk prodhohen, ndërsa Kamenica është bërë qytet tjetër, i përngjanë më tepër një bashkësie lokale të pazhvilluar, ndërsa shumica e këtyre qytetarëve nuk jetojnë më në Kamenicë, disa e kanë lëshuar komunën e disa të tjerë edhe shtetin.

Eco Higjiena

Në 20 vitet e fundit është shkatërruar edhe tradita 50 vjeçare e industrisë komunale. Pasuria e krijuar me shumë mund nga një sërë gjeneratash, praktikisht tani më është stërshitur e shkatërruar. Problematika e zhvillimit ekonomik është lënë në harresë si nga niveli qendrorë e poashtu edhe nga ai lokal. Mungesa e vizionit dhe strategjive të mirëfillta karshi zhvillimit ekonomik kanë ndikuar që komuna e Kamenicës të jetë një nga komunat me të pa zhvilluara ne Republikën e Kosovës.

Është momenti i fundit që të kthehet besimi te investitorët dhe qytetarët e Kamenicës Duke i pasur parasysh rrethanat dhe të gjithë indikatorët tjerë, mendojë se zhvillimi ekonomik i Komunës së Kamenicës duhet të bazohet para së gjithash në resurset disponibile me projekte konkrete në këta sektorë:
1. Përkrahja më e madhe e NVM-ve ekzistuese dhe hapja e të rejave,
2. Zhvillimi i të gjitha sektorëve të bujqësisë nga prodhimtaria primare deri te ajo finale-
përpunuese (agro – industria),
3. Prodhimi i fidaneve, bimëve dekorative, bimëve industriale(duhan) etj,
4. Prodhimi, kultivimi dhe konservimi i këpudhave dhe bimëve shëruese (zgjerimi i
kapacitetit),
5. Ngritja e një kapaciteti për përpunimin e drurit (me gamë të gjërë të prodhimeve- në
Desivojcë apo Tuxhecë),
6. Duhet të riaktualizohet çështja e eksploatimit eventual të jometaleve (magnezit dhe
kaolin të cilët kanë qenë bartës të zhvillimit ekonomik të Komunës),
7. Thithja e investimeve të reja nga vendi dhe diaspora, si dhe Investimeve të Huaja
Direkte (IHD), duke ju ofruar kushte më të volitshme për investime, heqjen e
barrierave burokratike, siguri juridike dhe lehtësira tjera,
8. Një fabrikë për prodhimit e produkteve nga tekstili – konfeksion e të ngjashme.
9. Edhe kapacitete tjera prodhuese-përpunuese në industrinë e lehtë që mund të ofrojë
ndonjë investitor potencial.

Si të arrihen këto objektiva?
1. Së pari, konsideroj se duhet ndryshuar çasja ndaj sfidës së quajtur “Zhvillim
Ekonomik Lokal “. Kjo sfidë duhet të jetë në vendin e parë të prioriteteve të
Komunës, e cila deri më tani është trajtuar vetëm në mënyrë verbale.
2. Duhet të formohet Grupi i përhershëm Komunal për Zhvillim Ekonomik Lokal
(ZHEL) me përfshirje të ekspertëve profesional dhe kompetent ( jo vetëm
formalisht dhe me njerëz jo kompetent) nga Administrata Komunale, Komuniteti i
Biznesit dhe Shoqëria Civile, i cili grup do ta ketë përkrahjen e fuqishme nga
Komuna dhe më gjerë, e poashtu të themelohet një Fond Komunal për përkrahje të
ZHEL-it.

3. Nga grupi profesional për ZHEL, e në bashkëpunim me komunitetin e biznesit të
hartohen projekte konkrete zhvillimore për thithjen e investimeve nga donatorët
dhe Investimet Direkte të Huaja, kryesisht në agro- industri dhe në industrinë e
lehtë.
4. Të joshen investitorë të jashtëm dhe brendshëm në Kamenicë duke i informuar ata
për profilin e Komunës dhe ambientin e volitshëm për investime në komunën tonë,
duke nxitur dhe përkrahur edhe partneritetin publiko-privat si mundësi reale.
5. Qeveria Komunale duhet të këmbëngulë te Qeveria e Kosovës në të ardhmen për
një zhvillim më të balancuar të komunave, duke mos e anashkaluar Komunën e
Kamenicës si deri më tani.
6. T’i propozohet Qeverisë së Kosovës që të hartoj dhe miratojë sa më shpejtë një
Reformë Agrare për pesë (5) vitet e ardhshme për zhvillimin e agro-biznesit në
Kosovë, e jo vetëm me deklarime verbale ad-hoc ose buxhet të pamjaftueshëm të
tentojë ta “zhvillojë“ bujqësinë në Kosovë.
7. Zyra Komunale për regjistrimin e biznesit t’a azhuroj punën,përshpejtoj procedurat
burokratike dhe të ndihmoj personat e interesuar në hapjen e bizneseve të reja./rajonipress/