RCCOLA

Kah po shkojnë?

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Tribunali i Hagës e shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe dy bashkëluftëtarët e tij. Me kaq drejtësia ndërkombëtare mbylli betejën e saj me Komandantin e UÇK’së. Në Aeroport, kreun e AAK’së e priti Kryeministri Hashim Thaçi. Ata u shfaqën miqësorë me njëri-tjetrin. A është ky fillimi i rrugëtimit të përbashkët politik i rivalëve të moçëm?

Pak orë pasi ka mbaruar punët me Tribunalin e Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm, Ramush Haradinaj ka shfaqur ambiciet e tij për të marrë udhëheqjen e Qeverisë.

Porositë, Haradinaj i ka dërguar nëpërmjet avokatit mbrojtës, Ben Emmerson duke thënë se synimet e tij janë për të vazhduar aty ku e kishte lënë në vitin 2005.

“Ai (Ramush Haradinaj) ka kërkuar nga unë që të them se ai do të kthehet në Kosovë këtë mbrëmje, dhe me pëlqimin e popullit, shumë shpejt do ta rikthejë pozitën e merituar si lider politik i vendit, duke e udhëhequr Qeverinë, e cila i përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës…”, ka thënë Emmerson, nëpërmjet një deklarate.

Haradinaj e kishte lënë postin e Kryeministrit për t’u ballafaquar me akuzat e Hagës për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

“Me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe me pëlqimin e popullit, ai do ta përfundojë punën që e ka filluar kur u bë Kryeministër në vitin 2004 duke sjellë shtetësi të plotë për një Kosovë të pavarur”, ka shtuar ai.

Por, kur Lideri i AAK’së ka mbërritur në Kosovë, tetë orë pas verdiktit të Hagës, ka qenë më i përmbajtur duke thënë se do të punojë për të mirën e vendit.

Lideri i AAK’së është pritur me ceremoni shtetërore në aeroportin e Prishtinës, që është zhvilluar nën patronatin e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Ish-komandantin e UÇK’së e ka pritur eskorta presidenciale, megjithëse Presidentja Jahjaga vetëm ka përshëndetur lirimin e tij përmes një komunikate për media.

Vetura me të cilën është bartur Haradinaj është kontrolluar edhe nga qenët nuhatës për shkaqe të sigurisë.

Pjesë e pritjes për Haradinajn kanë qenë Kryeministri Hashim Thaçi, Ministri i FSK’së, Zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Behgjet Pacolli.

Lideri i AAK’së bashkë me udhëheqësin e PDK’së kanë ecur ne tepihun e kuq para Gardës Ceremoniale të FSK’së.

Në oborrin e aeroportit, para gazetarëve, kanë folur dy rivalët e moçëm politikë.

Me këtë rast, Thaçi e ka uruar Haradinajn, duke thënë se me lirimin e tre ish-luftëtarëve të lirisë është dëshmuar pastërtia e luftës çlirimtare.

E, Lideri i AAK’së ka folur për bashkimin e forcave për të ecur përpara Kosova.

Uji Dea

“Jam gëzuar për të arriturat. Jemi mërzitur për vështirësitë, për sfidat. Jam i gëzuar se edhe drejtësia ndërkombëtare e ka kuptuar se rruga jonë për liri ka qenë e drejtë. Unë po ashtu dëshiroj që t’ju siguroj se do të punoj së bashku me ju që të tejkalojmë edhe sfida të tjera, po ashtu së bashku”, ka thënë Haradinaj, në konferencën e përbashkët me Thaçin në aeroport.

Thaçi i ka uruar kthim në jetën politike.

“Ju dëshiroj rikthim të suksesshëm në jetën tuaj aktive politike dhe natyrisht angazhime të tjera që ju i zgjidhni”, ka thënë shefi i Qeverisë.

Por, as Haradinaj, as Thaçi nuk kanë pranuar ndonjë pyetje, e as nuk kanë komentuar se a janë të gatshëm të lidhin koalicion mes vete, ashtu siç është folur tash e sa kohë.

Edhe në fjalimin para qytetarëve në sheshin “Nëna Tereze” në Prishtinë, ish-kryeministri ka premtuar se do të punojë shumë, ndërsa do t’i kursejë fjalët.

“Fjalët dua t’i kursej, punët jo”, ka thënë ai.

Por, pak orë pas vendimit për lirimin e Haradinajt, ka folur Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala.

Ai ka thënë se Partia e Haradinajt nuk do të luajë rolin e shikuesit në skenën politike, por do të bëhet pjesë e Qeverisë.

“Aleanca nuk e ka ndërmend të rrijë nëse ka mundësi që të aktivizohet në Qeveri, në pushtetin ekzekutiv, ne do ta bëjmë, sepse ne mendojmë që vendit i duhet një ndryshim i madh”, ka deklaruar Shala.

Ndryshe, Lideri i AAK’së për më shumë se shtatë vjet është ballafaquar me akuzat e Hagës për krime lufte. Ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit për t’iu përgjigjur drejtësisë ndërkombëtare.

Procesi ndaj Haradinajt kishte përfunduar në vitin 2008, por më vonë ishte kthyer në rigjykim të pjesshëm.

Avokati mbrojtës i Haradinajt, Emmerson ka bërë një krahasim interesant, kur ka përshkruar gjykimin e Liderit të AAK’së.

“Kjo ishte barasvlerë e vendosjes së udhëheqësve të rezistencës Franceze në Nuremberg, pranë bandave të Rajhut të Tretë të Hitlerit”, ka shtuar ai.

“Loja mbaroi. Përfundoi”.(express)