ARKATANA

Kadriu: Thaçi Gjilanin e sheh vetëm si potencial të votës

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dega në Gjilan Rexhep Kadriu ka akuzuar të premten Hashim Thaçin dhe qeverisjen komunale për mos realizim të projekteve, dhe premtime boshe. Kadriu tha se Gjilani po bëhet kantier i ndërtimit vetëm gjatë zgjedhjeve dhe kjo teori duhet të stopohet dhe ndëshkohet nga qytetarët e Gjilanit.

Kreu i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu ka hedhur akuza të shumta në adresa të Hashim Thaçit për të cilin tha se në Gjilan vije vetëm kur i duhen votat dhe kur fillojnë zgjedhjet.

Kadriu ndryshe konferencën e së premtes e ka shfrytëzuar si kundërpërgjigje ndaj kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe deklarimeve të tij se në Gjilan janë investuar 90 milionë euro. “Nuk është mirë që të bisedohet 14 vite pas luftës për infrastrukturë, për ujësjellës, për kanalizim, për ndriçim, por fatkeqësisht ne në komunën e Gjilanit akoma merremi me këto tema, përderisa është dashur të merremi me papunësinë dhe zhvillimin ekonomik, por falë qeverisjes së PDK-së në Gjilan nga viti 2007 ne akoma duhet të merremi me këto tema”, ka thënë kryetari Kadriu raporton rajonipress.

Kadriu ka thënë se qytetarët e Gjilanit nuk mund ta gjejnë 90 milionëshin e kryeministrit Hashim Thaçi, ai ka obligim të tregoj se ku i ka fshehur, bile as kryetari i komunës nuk e dinë ku janë bërë këto investime, ka shtuar Kadriu.

Sipas Kadriut, kryeministri nuk ka nevojë të premtoj më sepse të gjitha premtimet që ka bërë brenda këtyre dy mandateve kanë qenë vetëm fushatë e tij dhe qytetarët nuk i besojnë më as premtimeve të tij për investime 10 milionëshe.

Kadriu, ka sjellë edhe fakte duke argumentuar atë që konsiderohet si “investim” në Komunën e Gjilanit. Sipas tij Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga PDK në dy mandate në Gjilan ka investuar në projektet kapitale në kërkesat e komunës këto shifra:Viti 2008, 5.575072.42 euro, viti 2009, 4.269288.26 euro, viti 2010, 631189.76 euro, viti 2011, asnjë investim, viti 2012, 1.2 milionë, por nga këto vetëm 500 mijë janë tërhjekë ndërsa tjerat nuk kanë mundur për shkak të bllokimit të llogarisë për shpronësime.

Kadriu tha se në vitin 2013 asnjë cent deri në momentin e shpalljes së datës së zgjedhjeve e tash i ka lëshuar 2.5 milionë për disa projekte të infrastrukturës rrugore, ka thënë kryetari Kadriu.

Mobi Casa

Kadriu, tha se Thaçi po investon në Gjilan vetëm në kohë të fushatave.”E pyes Thaçin pse ai investon në Gjilan vetëm në kohë fushate, ndërsa edhe pse është kërkuar ndihmë nga kryetari i Gjilanit disa herë për investime në projekte, asnjëherë nuk është marrë një përkrahje e tij, madje këtë e ka deklaruar vet kryetari i Komunës së Gjilanit, duke thënë se “nuk po jep mjete”.

Kadriu ka kritikuar edhe deputetët e PDK-së në Kuvendin e Kosovës. “Edhe katër deputetët nga radhët e PDK-së , të cilët përfaqësohen në Parlamentin e Kosovës nuk kanë pasur asnjë ndikim në thithjen e investimeve në Gjilan dhe ndryshimin e qëndrimeve të kryeministrit Thaçi për Gjilanin. Kryeministri duhet të investoj në projektet e nisura, duhet t`i shlyej obligimet ndaj kompanive private që mbërrin shumën e rreth 4 milionëve” tha Kadriu.

Kadriu tha se kryeministri duhet të investojë në lumin Mirusha ku kjo qeveri qendrën e qytetit e ka bërë si gropa e “Hajdin Sejdisë” në mes të qytetit, projekt ky i cili me shumë pompozitet është përkrahur nga vet kryeministri. “Shtrohet pyetja pse nuk po e inspekton tash trasen e lumit Mirusha, shtrohet pyetja a ka dështuar ky projekt? Çka do të thotë kryeministri për investimin e mbetur në gjysmë të Sahat Kullës. Çka po ndodh me Varrezat e Dëshmoreve të cilat edhe pas 14 viteve liri nuk është përmbyllur në mënyrë dinjitoze.

Kryeministri në vend se t’iu premtoj qytetarëve të Luginës së Preshevës hekurudhë dhe autostradë ai ka obligim t`i hekë taksat e sigurimeve dhe t`i hapë zyret, të cilat i ka obligim nga Rezoluta e Parlamentit të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Kadriu.

Kadriu tha se qytetari i Gjilanit është lodhur me premtimet e kota të partisë në pushtet e cila kurrë-njëherë premtimet e dhëna nuk i ka përmbushë as për së afërmi , keqmenaxhimi i parasë publike , korrupsioni, ngulfatja e bizneseve lokale deri në falimentim.

“Prandaj Gjilanasit do t`i thonë kësaj here Stop kësaj qeverisje. Këtë pakënaqësi nuk e shpreh vetëm opozita, por këtë pakënaqësi e shprehin edhe vet anëtarësia e PDK-së dhe Qytetarët e Gjilanit”, tha Kadriu./rajonipress/

Mund të ju interesoj: