Eko Higjiena

Kadriu: Të mos heshtet shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvgjeë e Bujanoc

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Lëvizja “Vatra” ka hartuar disa kërkesa që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në Kosovën Lindore, të cilat kërkesa kryeministri Rama duhet t’i diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm zbatimin e tyre nga homologu i tij serb.

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama po pritet me interesim të madh edhe nga shqiptarët e Kosovës Lindore, ku gjendja vazhdon të jetë shumë e vështirë, shkaku i mosrespektimit të të drejtave elementare të këtij komuniteti që jeton në trojet e veta. Lëvizja “Vatra”, me seli në Gjilan, që tubon shqiptarët e përndjekur nga Presheva, Medvegja e Buujanoci, vlerëson se vizita e Edi Ramës në Serbi, është një moment historik për politikën në Ballkan, sepse ndodh pas gjashtë dekadash, thotë zëdhënësi Kushtrim Kadriu.

“Vatra” e kujton me këtë rast kryeministrin Rama se gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, është shumë e vështirë. Dhe kërkon që pikërisht kjo vizitë, nga autoritet shqiptare të shfrytëzohet për të kërkuar që në mënyrë urgjente të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve nga pushteti serb në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Lëvizja “Vatra” ka hartuar disa kërkesa që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në Kosovën Lindore, të cilat kërkesa kryeministri Rama, duhet t’i diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm zbatimin e tyre nga homologu i tij serb.

Shqiptarët diskriminohen në punësim

Serbia duhet të garantojë zhvillimin e barabartë ekonomik të rajonit të Kosovës Lindore, duke nxitur punësimin e shqiptarëve e mbi të gjitha punësimin e të rinjve, ngase kjo pjesë është ndër më të varfrat në gjithë kontinentin e Evropës. Këtë e dëshmojnë statistikat zyrtare të Serbisë.

Këto statistika tregojnë se në pjesën e Serbisë, pa Kosovën Lindore, të papunë janë vetëm 15 për qind të qytetareve, kurse në Kosovën Lindore, ku shumica janë shqiptarë, të papunë janë 95 për qind. Serbisë duhet t`i kërkohet që t`i ndalë arrestimet politike të shqiptarëve, me akuza të fabrikuara. Beogradi, po ashtu duhet të ndalojë ndjekjen dhe maltretimin e ish-ushtarëve të UÇPMB-së, që po vazhdon tash e 13 vjet. Po ashtu kryeministrit serb Vuqiç duhet t`i kërkohet të bëhet çmilitarizimi i menjëhershëm i Kosovës Lindore dhe heqja e bazave ushtarake siç janë në Cepotin, në Ramabuqe dhe në Zarbicë si dhe kampet tjera të vendosura në Kosovën Lindore, sepse po përhapin frikë te banorët dhe pengojnë kthimin e të zhvendosurve.

UBT

Beogradit duhet t`i kërkohet edhe zbardhja e vrasjes enigmatike të komandant “Lleshit”, Ridvan Qazimi. Serbia duhet të fillojë zbatimin e marrëveshjes së Konçulit dhe të zbatojë vullnetin e shprehur politik, të tri kuvendeve të komunave shqiptare, në vitin 2006. Të garantohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e mallrave nga Kosova e Shqipëria.

Mbi 15.000 të dëbuar nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre

Kadriu thotë se kryeministri Rama nuk duhet ta harrojë assesi që ta shtrojë në Beograd edhe çështjen e të dëbuarve nga trojet e tyre dhe të insistojë për kthimin e menjëhershëm të tyre. Dihet se forcat serbe i kanë dëbuar me dhunë mbi 20.000 shqiptarë në vitin 1999-2000 dhe sot e asaj dite nuk janë lejuar të kthehen mbi 15.000 prej tyre. Këtyre banorëve duhet t`u garantohet siguri për kthim në pronat e tyre, duke iu ndërtuar edhe shtëpitë e shkatërruara nga ushtria serbe.

Në asnjë mënyrë, kryeministri Rama nuk duhet të harrojë të shtrojë edhe çështjen e shkollimit të shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe të insistojë për hapjen e universitetit në gjuhën shqipe. Shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta duhet t`iu lejohet përdorimi i simboleve dhe të respektohet dy gjuhësia, të lejohet që në Kosovën Lindore të punohet me plan program arsimor të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe të lejohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Kërkesa e fundit që shqiptarët e Kosovës Lindore kanë për kryeministrin shqiptar, kthimi i lapidarit të dëshmorëve në Preshevë.

Edhe Refik Hasani, analist i çështjes shqiptare në Luginë, thotë se kryeministri duhet të insistojë te respektimi i referendumit të marsit 1992. Ai pret që pas kësaj vizite, kryeministri do të njoftoj edhe Parlamentin e Shqipërisë për të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe Shqipëria do të dalë me një qëndrim zyrtar për gjendjen dhe pozitën e popullatës shumicë shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Me sa dihet, Serbia ka bërë orvatje për ta hequr nga agjenda vizitën e kryeministrit shqiptar në Preshevë, por kjo nuk ka ndodhur dhe pritet që Rama të shkojë në Luginë./rajonipress/