Kadriu: Të gatshëm për intervenime në mbrojtje të qytetarëve, pronës publike dhe private

Gjilan – Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është në gjendje gatishmërie që t’u dalë në mbrojtje qytetarëve, pronës publike dhe private, falë angazhimit të pandalur të zjarrfikësve, por edhe bashkëpunimit shumë të mirë me Policinë e Kosovës, FSK-në, Hidromoravën dhe koordinimit të mirë edhe me drejtoritë komunale. Kështu është shprehur në një konferencë për media, drejtori i kësaj drejtorie, Ensar Kadriu, duke garantuar angazhim dhe gatishmëri për intervenim në çdo kohë sipas planit për vitin 2016.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, respektivisht Shërbimi i Zjarrëfikësve, është në gjendje gatishmërie për të intervenuar në çdo kohë, qoftë gjatë motit me reshje apo edhe në kohën e verës kur janë më të shpeshta rastet e ndezjeve fushore dhe malore. Falë hapjes dhe intervenimit në disa lumenjë gjatë vitit 2015, efektet pozitive janë vërejtur gjatë reshjeve të mëvonshme. Planifikojmë që shumë shpejtë të nisim me hapjen dhe pastrimin edhe të lumenjëve të tjerë, në mënyrë që nga reshjet eventuale të mos dëmtohet prona e qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë Kadriu.
Kadriu gjithashtu ka thënë se gjatë vitit që lamë pas kemi raste më të vogëla të zjarreve, krahasuar me vitet paraprake.
“Gjatë vitit që kemi lënë pas kishim ulje të rasteve të zjarrit dhe kështu edhe ulje të dëmtimit të pronës publike dhe private, edhe pse janë ende numër shumë i madh i rasteve, të cilat pretendojmë që bashkë me qytetarët t’i ulim deri në minimumin e mundshëm. Ndërsa, ka apeluar që kujdesi të jetë i përbashkët për gjithë hapësirën e Gjilanit, qoftë pronë private apo shtetërore, sepse ajo e gjitha është së pari e Gjilanit dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar gjatë kësaj konference drejtori Kadriu.
Prioritet i DSHM-sës, sipas drejtorit është ruajtja dhe krijimi i sigurisë së qytetarëve dhe të mirave të tyre material nga fatkeqësitë natyrore apo fatkeqësitë e tjera, ndërsa sfidë është numri edhe më tutje i kufizuar i stafit të DSHM-sës dhe zjarrëfikësve të rinj, gjithnjë duke bërë krahasimin me numrin e qytetarëve që ka kjo Komunë.
Kadriu ka potencuar edhe nevojën e krijimit të një fondi emergjent komunal për krijimin e kushteve më të mira për përballimin e situatave emergjente gjatë të ardhmes./rajonipress/