Kadriu takohet me banorët e Bresalcit

Gjilan – Kryetari i AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu është takuar me qytetarët e Bresalcit, me të cilët ka bashkëbiseduar dhe ka dëgjuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me kërkesat për fshatin.
Kadriu, njëherit kandidat për kryetar të komunës nga radhët e AAK-së, është shoqëruar nga nënkryetari i parë i Degës si dhe bartësi i listës Selami Xhemajli dhe koordinatori për Bresalc, Ponesh, Gllamë dhe kandidat për këshilltar komunal Halil Shala, ndërsa është pritur nga kryetari i nëndegës së AAK-së në Bresalc, Pajazit Muja dhe anëtarë të kryesisë së kësaj nëndege.
Qëllimi i këtij takimi ka pasur të bëjë me planet dhe projektet të cilat Kadriu ka për Bresalcin si dhe projektet që mund të realizohen në të ardhmen në këtë fshat.
“Qysh nga marrja e kandidaturës për kryetar të AAK-së në Gjilan në muajin mars, kam nisur menjëherë punën në teren dhe kam parë që ka shumë të meta dhe se gjendja nuk është aspak e mirë. Qytetari i Gjilanit nuk guxon të mos ketë kanalizim, të mos ketë drita dhe duke i parë të gjitha këto të meta jam betuar se do të punojë gjithmonë për ju”, ka thënë Kadriu.
Kadriu ka thënë se deri më tani janë realizuar 28 projekte dhe se i 29-ti është realizuar gjatë ditës së diele pikërisht në lagjen e “Shashivarëve” në Bresalc./rajonipress/