Kadriu: Rivalëve po u tregojmë me punë se si duhet të sillen me qytetarët

Gjilan – Me punë kemi dashur t`i tregojmë këtyre kandidatëve për kryetar, që edhe pse i kanë nga 20 vjet përvojë në politikë, kurrë nuk e kanë dhënë asnjë cent për Gjilanin, pos që kanë marrë bukën e qytetarëve dhe i kanë lënë ata në uri, ka thënë Rexhep Kadriu.
Pavarësisht mungesës së energjisë elektrike, qindra banorë të Karadakut, ishin mbledhur për të pritur kryetarin e ardhshëm të Gjilanit Rexhep Kadriu, në Zhegër. “Ata që besojnë në fitore dhe i kanë duart e pastërta, nuk i frikësohen territ të atyre që janë mbushur me borxhe deri në fyt, prandaj me qirinj e presim kryetarin tonë të ardhshëm”, kanë thënë banorët e Karadakut.
Me krenari, me duartrokitje dhe brohoritje të mëdha, të gjithë në këmbë shprehën përkrahjen e tyre drejt fitores së Aleancës më 3 nëntor.
Kryetari Kadriu në këtë takim u shoqërua nga struktura e Aleancës, duke përfshirë këtu edhe deputetin e Parlamentit të Kosovës Nijazi Idrizi, i cili tha se shpreson që këto netë të Karadakut t`i kthejnë në ditë më të mira se sot dhe mos të ngelim pa drita për shkak të frikës së humbjes.
“Jemi formuar si gjenerata dhe breza për ti shërbyer atdheut tonë dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ne jemi me një proces zgjedhor të cilit po i vije fundi. Kosova është në një tranzicion të gjatë për shkak të mundësive të kufizuara që po ofrohen. Duhet ta dimë një gjë, që regjioni ynë është jashtëzakonisht kontribuues në procesin e zhvillimit dhe konsolidimit social të vendit tonë. Kontributi i Anamoravës për konsolidimin institucional, demokratik dhe të zhvillimit ekonomik, nuk po shpërndahet në mënyrën e duhur dhe nuk po kthehet në bazë të vullnetit të qytetarëve”, ka thënë Idrizi.
Ndërkaq kryetari i AAK-së në Gjilan dhe kandidati për kryetar të komunës Rexhep Kadriu, ka thënë se ky pushtet po e ndjenë frikën e humbjes, prandaj edhe e ka ndalë energjinë elektrike me qëllim.
Por, kjo nuk ka qenë arsyeje që takimi të mos mbahet. Kryetari Kadriu para të pranishmëve ka folur për gjendjen e keqe që mbizotëron në teren dhe për projektet që në bashkëpunim me vullnetarët e AAK-së janë realizuar, duke arritur kështu numrin 39.
“Kemi ndërtuar rrugë, kanalizim, kemi vendosur dritat kemi ndërtuar shtëpi për njerëzit në nevojë. Me një fjalë, jemi munduar që çdo kërkesë të qytetarit ta realizojmë. Duam të japim shembull se si një kryetar duhet t`i qaset problemeve të qytetarit, se si duhet të sillet me qytetarët. Me punë kemi dashur t`i tregojmë këtyre kandidatëve për kryetar, që edhe pse i kanë nga 20 vjet përvojë në politikë, kurrë nuk e kanë dhënë asnjë cent për Gjilanin, pos që kanë marrë bukën e qytetarëve dhe i kanë lënë ata në uri”, ka thënë kryetari Kadriu.
Ai ka thënë se më 3 nëntor do t`i tregojmë të gjithëve se në Gjilan ka Zot shtëpie dhe se bashkë, me punë do ta kthejnë Gjilanin në hartën e Kosovës, aty ku ka qenë gjithmonë dhe nga aty ku askush nuk mund të na largojë kurrë. /rajonipress/