RCCOLA

Kadriu: Projektet kapitale do t`i përmbyllim brenda këtij mandati qeverisës

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Në cilësinë e nënkryetarit të komunës së Gjilanit në mandatin e kaluar, e kam skanuar deri në detajin e fundit gjendjen në territorin e Gjilanit, në të gjitha segmentet e jetës, duke përfshirë edhe infrastrukturën rrugore. Kemi ofruar shërbime, aq sa kemi pas hapësirë dhe fuqi politike, në fakt ishte krijuar një standard i ri i udhëheqjes në Gjilan. Në qeverinë e Kosovës, respektivisht në Ministrinë e Infrastrukturës, si zëvendësministër, kemi ardhë shumë të informuar me kërkesat e qytetarëve, saktësisht të njohur me problemet e Gjilanit dhe Anamoravës në përgjithësi shprehet Rexhep Kadriu.

Rexhep Kadriu për një kohë shumë të shkurtër të kalimit të tij në Ministrinë e Infrastrukturës ka arritur që ta kthej vëmendjen e Qeverisë Haradinaj edhe kah Gjilani dhe komunat e Anamoravës.

Pothuajse është zyrtari i parë i lartë qeveritar që vije nga Anamorava, që është kujdesur me aq përkushtim për detajet më të vogla për të përfituar projekte e investime ky regjion.

Fatkeqësisht ka edhe zyrtar tjerë të lartë nëpër sektor të rëndësishëm, por pos prezantimit nëpër rrjete sociale dhe fotografive me familjar, baxhanak, motra e kusherina, tjetër hajr Gjilani nuk ka parë prej tyre.

Fundamenti

Të kthehemi tek aktiviteti dhe puna që ka bërë dhe po bënë Rexhep Kadriu konkretisht. “Si zëvendësministër i MI-së, së bashku me ministrin Lekaj, dhe me përkrahjen e pa rezervë të kryeministrit Haradinaj, sikurse në gjitha komunat e Kosovës, edhe në Anamoravë kemi sjell investime për projekte të shumta, projekte të cilat ose nuk kishin filluar fare, ose të filluara e të lëna në gjysmë. Projekti më kapital për Anamoravën, Autoudha Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, po bëhet realitet. Një projekt i ideuar që moti, porse asnjëherë i konkretizuar. Sot qytetarët e Anamoravës presin që brenda afateve të caktuara, ta shijojnë rrugën e re dhe moderne” u shpreh Kadriu për rajonipress.

Kadriu tha se përveç kësaj, në qeverinë Haradinaj është bërë aplikimi në BERZH për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza që kap vlerën e 30 milion eurove. “Ishin bërë shumë kërkesa për caktimin e një lokacioni për varrezat e qytetit të Gjilanit, dhe asnjëherë nuk kishte gjetur mbështetje. Ndërsa, ne ishim zotuar se do ta zgjidhim këtë çështje, dhe si rezultat i kërkesave të mia, sot kemi një vendim të kryeministrit Haradinaj për ndarjen e lokacionit për varreza” tha Kadriu.

Sipas tij investime të shumta ka edhe në infrastrukturë. “Kemi investuar në infrastrukturë rrugore në fshatra dhe qytete, me investime direkte duke përfshi Bresalcin, Zhegrën, Llashticën, në Lagjen e 8- të, në qytet dhe jemi në proces për me i filluar punimet në zgjerimin e rrugës së Përlepnicës, rrugës në fshatin Cërrnicë, lagjën “Pajazit Ahmeti”, si dhe rrugica në “Rrugën e Prishtinës”. Planifikimet e Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2019, janë të shumta. Rruga “Enver Miftari, saktësisht në drejtim kah restaurant “Pllumbi”, Rruga Gjilan – Cërrnicë, në drejtim të fabrikës “Konson”-it. Rruga Dobërçan – Pogragjë – Stublinë. Poashtu rruga e “Kumanovës” dhe rrugicat që lidhen me të. Kjo rrugë parashihet të lidhet me fshatin Zhegër. Kemi paraparë ta bëjmë zgjerimin e rrugës me katër korsi nga fabrika e Baterive deri tek “Bunari i Përlepnicës”, si vazhdim i zgjerimit te rrugës nga fabrika e baterive deri në hyrje të qytetit. Gjithashtu do të bëhet zgjerimi i rrugës me katër korsi nga “Penda e Livoçit” deri ne Bresalc, aty ku bëhet lidhja me Autostradën e Gjilanit”, u shpreh Kadriu.

“Si MI, kemi paraparë lidhjen e kontratave me BERZH-in, për zgjerimin e rrugëve në hyrje-daljet në drejtim të Prishtinës dhe në drejtim të Kllokotit. Jemi seriozisht duke punuar me ministrinë e Ambientit që të fitojmë projekte për Gjilanin, gjegjësisht në kolektorin dhe ndërrimin e sistemit të kanalizimit në qytet, dhe jemi duke e shtyrë para projektin e kanalizimit për fshatin Dobërçan. Objektiv yni që në bashkëpunim me komunën, në afat të shkurtë kohor, të caktojmë edhe lokacionin për Zonën Ekonomike, projekt ky për të cilin e kemi mbështetjen e plotë të kryeministrit Haradinaj. Pra, jemi të vendosur që projektet kapitale t`i përmbyllim brenda këtij mandati qeverisës në mënyrë që Kosova të mos përballet vazhdimisht me investime në rrugë por mjetet të destinohen në segmente tjera të shtetit në dobi të zhvillimit ekonomik” shtoj Kadriu./rajonipress/