Kadriu pritet fuqishëm në Uglar

Gjilan – Rexhep Kadriu ka thënë se ai do të vazhdojë të punojë për qytetarin e Gjilanit, edhe tani në kohë fushate, sepse një jetë më e mirë dhe mirëqenie për të gjithë është prioriteti kryesor. Edhe tani kur po mbajmë tubimin këtu, ka njerëz nga struktura të cilët punojnë për të zgjidhur problemet e qytetarit të Gjilanit, probleme këto që nuk janë zgjidhur nga personat kompetentë asnjëherë më parë ka thënë Kadriu.
Kryetari i AAK-së në Gjilan dhe kandidati për kryetar të komunës Rexhep Kadriu, të dielën ka nisur tubimet me nëndegët e AAK-së, si nismë e tubimeve në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale 2013.
Tubimi i parë është mbajtur në fshatin Uglar, ku kanë qenë prezent një numër i madh i qytetarëve, të cilët kanë dëgjuar programin e Kadriut dhe më konkretisht prioritetet që Aleanca ka për Uglarin.
Kadriu ka thënë se ai do të vazhdojë të punojë për qytetarin e Gjilanit, edhe tani në kohë fushate, sepse një jetë më e mirë dhe mirëqenie për të gjithë është prioriteti kryesor.
“Edhe tani kur po mbajmë tubimin këtu, ka njerëz nga struktura të cilët punojnë për të zgjidhur problemet e qytetarit të Gjilanit, probleme këto që nuk janë zgjidhur nga personat kompetentë asnjëherë më parë”, ka thënë Kadriu.
“Në bisedime të vazhdueshme me kryetarin e nëndegës së Uglarit Hevzi Shabani dhe në konsulta edhe me qytetarët e Uglarit, kemi bërë listën e prioriteteve të fshatit tuaj, atë për çka ka më së shumti ka nevojë Uglari. Rregullimi i ujësjellësit, rregullimi i oborrit të shkollës dhe fushës sportive, rregullimi i shtratit të lumit dhe rregullimi i trotuareve, janë ndër prioritetet më kryesore që menjëherë mbas 3 nëntorit do të fillojnë të realizohen”, ka thënë Kadriu.
Në këtë tubim ka folur edhe nënkryetari i AAK-së në nivel Qendror Ahmet Isufi, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë numrin 62, sepse është zgjidhja e vetme për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Rexhep Kadriu ka kaluar parashikimet e të gjithë neve, duke filluar nga rritja e strukturës, shtimin e nëndegëve si të Aleancës së të Rinjve poashtu edhe atë të Gruas, ka dëshmuar që me punë mund ta ndryshojë jetën e qytetarit, prandaj edhe meriton që ju t’ia mundësoni që këtë punë dhe angazhim ta vazhdojë”, ka thënë Isufi.
Para të pranishmëve ka folur edhe kryetari i Aleancës së të Rinjve të Kosovës Labinot Hyseni, njëherit kandidat për këshilltar komunal dhe qytetar i Uglarit, i cili i ka bërë poashtu thirrje bashkëvendësve të tij që të përkrahin Rexhep Kadriun dhe numrin 62.
“Unë besojë dhe jam i sigurt që të gjitha premtimet e kryetarit Kadriu do të realizohen, sepse e ka dëshmuar që është njeri i fjalës dhe punës. Prandaj, kërkojë nga të gjithë ju që ta mbështesni duke i dhënë besimin të udhëheqë me Gjilanin dhe duke i dhënë mundësinë që në mandatin e tij të parë, të shohim që nuk ka premtime të kota, por ka punë dhe konkretizim”, ka thënë kryetari i ARK-së në Gjilan Labinot Hyseni.
Në këtë tubim kanë marrë pjesë bartësi i listës së AAK-së Selami Xhemaili, kandidatët për këshilltarë komunal Sevdije Syla, Sahit Zuzaku, Mimoza Kadriu, Drita Ismaili, Saranda Rashiti dhe Hamid Azemi, anëtarë të kryesisë së të rinjve në Gjilan si dhe pjesë të strukturës së AAK-së thuhet në njoftimin e degës së AAK-së në Gjilan./rajonipress/