Kadriu premton projekte konkrete për Livoqin e Ulët

Gjilan – Banorët e Livoqit të Ulët masovikisht kanë pritur kryetarin e AAK-së në Gjilan njëherit kandidat për kryetar të komunës Rexhep Kadriu, në tubimin e organizuar mbrëmjen e së premtes, duke i dëshmuar edhe njëherë përkrahjen e fuqishme që ata kanë për të.
Ndërkaq, kryetari Kadriu i shoqëruar nga nënkryetari i AAK-së në nivel Qendror Ahmet Isufi, bartësi i listës Selami Xhemaili, kryetari i LDD-së në Gjilan Jashar Ramadani dhe ekipin e fitores së koalicionit AAK-LDD, kanë qëndruar krenar pranë qytetarëve të cilët besojnë në fitoren e Aleancës më 3 nëntor.
Ahmet Isufi, ka thënë se Livoqi i Ulët po e vërteton fitoren dhe kështu duhet të veprojnë edhe të tjerët, që të mos lejojmë më të na nënçmojnë, injorojnë dhe mashtrojnë me investime, e në fakt të veprojnë ndryshe. Ai ka kërkuar nga qytetarët mobilizim, në mënyrë që të gëzojmë një qeverisje ndryshe dhe trajtim të barabartë. „Aleanca po e dëshmon që ka frymë të mirë politike duke nxjerrë përfaqësues nga secili regjion për këshilltar komunal me vet pëlqimin e banorëve. Kjo dëshmon se ne kemi një ekip të mirë me harmoni që premton zhvillim dhe perspektivë për Gjilanin“, ka thënë Isufi.
Para të pranishmëve ka folur edhe kandidati për këshilltar komunal nga Livoqi i Ulët Rasim Hajdari, i cili ka thënë se edhe ai njëjtë si bashkëvendësit e tij, vuan nga dëmet e keq-qeverisjes së tanishme, prandaj i ka bërë thirrje që mos ta votojnë Qemajl Mustafën nëse duan që të mos diskriminohen, që mos të nënvlerësohen, por ta votojnë Aleancën dhe Rexhep Kadriun nëse duan ndryshim.
Jashar Ramadani kryetar i LDD-së në Gjilan ka thënë se duke votuar kryetarin Kadriu, votojmë aleatin që realizon aspiratat tona. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos votojnë një kryetar të komunës i cili i falë tokat e komunës, i cili nuk është në Gjilan, por në Prishtinë, i cili investon vetëm aty ku ka interesa personale. Por të votohet, ai i cili me punë ka treguar se mund të arrihen shumë gjëra.
Para të pranishmëve, në fund ka folur edhe kryetari Rexhep Kadriu, i cili ka përmendur objektivat e tij qysh me marrjen e mandatit si kryetar i Aleancës në Gjilan. “Me të parë gjendjen tejet të keqe në teren kemi nisur me ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësit, terreneve sportive, kemi ndihmuar qytetarët me gjendje të vështirë ekonomike duke i ndërtuar shtëpi e kështu me radhë. E kam bërë këtë, sepse kam menduar që qytetarit duhet t`i japim diçka ndonjëherë, e jo vetëm t`i marrim. E pikërisht qytetarët, janë ata që më kanë dhënë vullnetin për të vazhduar dhe premtojë se nuk do të ndalem. Edhe për Livoqin e Ulët i kemi planet dhe projektet konkrete të cilat do të realizohen. Ajo që ju duhet të bëni është të votoni numrin 62 dhe bashkë ta sjellim ndryshimin e madh pozitiv për Gjilanin“, ka thënë Kadriu.
Në këtë tubim, kanë marrë pjesë rreth 500 qytetare, të cilët kanë thënë se e duan Rexhep Kadriun për kryetar të Gjilanit thuhet në njoftimin e degës së AAK-së në Gjilan./rajonipress/