Kadriu: Pensionistët me prejardhje nga Kosova Lindore po diskriminohen në Kosovë
Gjilan – Ministri Abrashi dje tha se do të ndalen pensionet për banorët e Komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes që jetojnë në Kosovën Lindore, fillimisht është mirë që ministri të informohet, se për të marrë pension në republikën e Kosovës duhet që qytetarët të pajisen me dokumente të identifikimi, siç është letërnjoftimi i Republikës së Kosovës, e pastaj të fitojnë të drejtën e pensionit thotë Kushtrim Kadriu nga Lëvizja Vatra.
Kushtrim Kadriu thotë se personalisht, nuk beson që ka qytetarë të tillë që jetojnë atje, e që marrin pensione në Kosovë, sepse burokracia që ekziston në procedurat për t’u pajisur me shtetësi të Kosovës, nuk e lejon këtë gjë, por edhe nëse ka ndonjë të tillë.
“Konsideroi se nuk bëhet kiameti, pasiqë, Serbia po investon në rroga, pensione e shërbime të tjera për serbët mbi 2000 milion euro në vit, kurse qeveritë shqiptare 100.000 euro në këto 4 vitet e fundit. Zotëri ministër gjithashtu duhet të informohet fillimisht që në Republikën e Kosovës ka mbi 4.000 banor të dëbuar nga Kosova Lindore që jetojnë, punojnë dhe i paguajnë taksa shtetit të Kosovës, ndërsa ky i fundit padrejtësisht, nuk u jep shtetësi, si pasoje e ligjeve diskriminuese të shtetit të Kosovës” shprehet Kadriu raporton rajonipress.
Kadriu kërkon nga ministri Arben Abrashi, të ngrisë në Qeverinë e Kosovës edhe shqetësimin se çka duhet të bëjë me pensionistët nga komunat e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës që jetojnë në Kosovë, që paguajnë dhe kanë paguar tash e 16 vite taksa për republikën e Kosovës, e që nuk kanë asnjë dokument identifikimi, e për pasojë këta qytetarë po pezullohet padrejtësisht edhe nga e drejta për të pasur pension. “Pra, këta qytetarë duhet që ose të lirohen nga taksat dhe të mos paguajnë asgjë për këtë shtet i cili nuk po i llogaritë as si njerëz, ose të pajisen me dokumente identifikimi dhe me pensione. Pra, diskriminimi për qytetarët e Kosovës Lindore po ndodh andej e këndej kufirit. Andej kufirit nuk presim ndonjë tretman më të mirë, kurse Qeveria e Kosovës duhet të ndryshoj qasje dhe të filloj të investoj në ato tri komuna, në qëndrimin e banorëve që janë atje duke jetuar dhe në kthimin e qytetarëve të Kosovës Lindore që u dëbuan nga shtëpitë e tyre” thotë Kadriu nga Lëvizja Vatra./rajonipress/


