Kadriu në Festivalin e poezisë në Qipro

Në qytetin Iskele, të Qipros Veriore, më 4, 5 dhe 6 mars është mbajtur Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, një manifestim ky tradicional që u organizua për të pesëmbëdhjetën herë.
Programi i këtij manifestimi u mbajt me dy paraqitje të poetëve, dhe me simpoziumin kushtuar krijimtarisë poetike të vendeve prej nga vinin pjesëmarrësit.
Në festivalin ku morën pjesë përfaqësues nga Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Holanda etj., Kosova u përfaqësua nga shkrimtari, Ibrahim Kadriu, i cili, në simpozium foli për frymën e re në krijimtarinë poetike të Kosovës, dhe për zhvillimin e tërësishëm të letërsisë shqipe, me theks të veçantë në periudhën e sistemit monist, kur shkrimtarët e një gjuhe (Kosovë dhe Shqipëri) i kishin të ndaluara kontaktet – mbase edhe mungesën e lirisë për njohjen e krijimtarisë letrare të njëri-tjetrit.
Ibrahim Kadriu është fitues i çmimit për romanin më të mirë në Kosovë për vitin 2013, që ndahet nga Ministria e Kulturës. Këtë çmim e fitoi me romanin “Pjella e dreqit”.