Kadriu: LDK – AAK qeverisja që e shpëtoj Gjilanin nga kaosi

Gjilan – Rexhep Kadriu nënkryetar i Komunës dhe kryetar i degës së AAK-së në Gjilan për rajonipress thotë se në këtë 6 mujor të qeverisjes kanë punuar në identifikimin e shumë problemeve dhe realizimin e disa projekteve madhore. Kadriu tha se akuzat e PDK-së janë të pabaza, por tha se janë të shëndetshme për demokracinë. Kadriu pret që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i vendit.
Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu shprehet në superlativ për punën e qeverisjes komunale në periudhën 6 mujore, raporton rajonipress.
Kadriu thotë se për këtë periudhë kanë bërë punë të mëdha dhe janë përqendruar në kërkesat emergjente të qytetarëve duke mos anashkaluar as realizimin e projekteve madhore për Gjilanin.
Kadriu tha se që nga fillimi i qeverisjes së koalicionit LDK – AAK , u pa se ky koalicion do ta shpëtojë Gjilanin nga kaosi dhe kështu edhe ndodhi.
Ai thotë se në tre mujorin e parë kanë punuar në identifikimin e problemeve të shumta ku të gjeturat tona tregojnë për shumë shkelje të procedurave, harxhime marramendëse e shumë ngecje në projekte. “Kurse gjatë këtij 6 mujori kemi vazhduar me projektin e lumit “Mirusha”, ku jemi afër finalizimit të kanalizimit fekal, e ku kanë mbetur vetëm edhe 400 metra, meqë për këta shtatë muaj kemi shtruar gypa të kanalizimit sa për dy vite të qeverisjes së kaluar”.
Kadriu projekt tjetër të rëndësishëm e vlerëson punimin në 38 rrugë derisa sipas tij është dorëzuar edhe projekti i lagjes “Dardania” për rregullimin e parkut në kuadër të projektit “Kosova e bukur” ku presim që të financohet nga Komisioni Evropian.”Dobia e këtij projekti është e madhe sepse presim edhe punësimin e një numri të madh të të rinjve për tre muaj sa do të zgjas projekti”.
Projekt tjetër i rëndësishëm vlerësohet edhe rruga në lagjen “Abdullah Presheva” sepse në këtë projekt po e mbulojmë marren e qeverisë së kaluar.
Ndërkaq sipas Kadriut projekti i qeverisjes LDK – AAK është fillimi i punimeve në implementimin e projektit në lumin “Baja” ku qeverisja e kaluar nuk ka pasur guximin të fillojë këtë projekt edhe pse qytetarët e kësaj lagjeje ka 40 vite që përballen me vërshime.
Kadriu mendon se një punë e madhe është bërë edhe në shërbimet e administratës ku në qeverisjen e kaluar ka pasur shumë vërejtje nga mërgimtarët për pritje të gjata nëpër sportele.”Këtë vit falë punës së palodhshme nuk kemi asnjë ankesë dhe ende jemi duke punuar me orar normal dhe falë reformave në këtë sektor dhe aplikimit online dhe përkushtimit ndaj qytetarit jemi administrata më efikase në nivel vendi”.
Kadriu tha se edhe në sferën e shërbimeve publike kjo qeverisje ka punuar dhe është angazhuar në të gjitha drejtimet.”Shërbimet publike po punojnë jashtëzakonisht mirë ku për 15 vite pas luftës për herë të parë kjo qeverisje po hap e ndërton rrugë në Sllakoc, Gadime, Kishnapole, por edhe në brezin kufitar në Kokaj, Sllubicë, shpejt edhe në Muqibabë e Burincë dhe rruga Dobërqan – Stublinë”.
Kadriu ka një optimizëm të madh rreth qeverisë së ardhshme.”Këto ditë presim edhe krijimin e qeverisë në krye me Ramush Haradinajn dhe jam i sigurt se Gjilani dhe Anamorava do të jenë krejt ndryshe sepse që në start kemi bërë kërkesë që të na paguhen borxhet e qeverisjes së Qemajl Mustafës”.
Kadriu ndërkaq duke komentuar akuzat e PDK-së dhe dosjet që ajo po dërgon në prokurori pikërisht për qeverisjen e tij dhe të Hazirit tha se ato janë të pabaza.”Në qeverisjen tonë është normale që njerëzit të shprehen lirshëm sepse për shtatë vite atyre u ka munguar kjo dhe mendoj se këto akuza janë të shëndetshme për demokracinë edhe pse fund e krye janë të pabaza” tha Kadriu./rajonipress/