Kadriu intervenon edhe në Capar- ofron ndihmë për nevojtarët

Gjilan – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Dega në Gjilan Rexhep Kadriu të mërkurën ka qëndruar në Capar, ku është pritur nga banorët e këtij fshati. Qëllimi i vizitës së Rexhep Kadriu në Capar, ka qenë njohja me gjendjen në të cilën jetojnë banorët dhe nevojat dhe kërkesat që ata kanë.
Me këtë rast, Kadriu i ka premtuar një banori ndihmë në ndërtimin e shtëpisë, duke dhuruar betonin e nevojshëm, ndërkaq për të gjithë banorët e Caparit ka premtuar se do të fillojë projektin për ndërtimin e minares së xhamisë së fshatit.
“Për mua, nevojat e qytetarit të Gjilanit nuk njohin lagje apo fshat, ato janë nevoja të cilat unë dhe Aleanca i shqyrtojmë me seriozitet dhe kujdes pa dallim dhe gjithmonë ofrojmë zgjidhje, siç ka ndodhur shumë herë deri më tani”, ka thënë Kadriu.
“Zgjidhje do të ofrojmë edhe për banorët e fshatit Capar”, ka shtuar më tej ai.
Ndryshe, Rexhep Kadriu, njëherit kandidat për kryetar të komunës nga radhët e AAK-së në Gjilan, në Capar është shoqëruar nga nënkryetari dhe njëherit bartësi i listës për këshilltarë komunal të AAK-së Selami Xhemajli, anëtarët e kryesisë së Degës Salih Mustafa dhe Mimoza Kadriu, anëtari i Këshillit Drejtues Fidan Kadriu si dhe anëtari i kryesisë së ARK-së Kelmend Ramadani./rajonipress/