Kadriu inspekton punimet në ndërtimin e trotuarit në Velekincë dhe Zabel

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku, kanë parë sot nga afër punët që janë bërë në ndërtimin e trotuarit nga fshati Velekincë e deri tek shkolla “Abaz Ajeti” në lagjën “Arbëria” si dhe punët në ndërtimin e trotuarit në lagjen “Zabel i Sahit Agës”.

Punimet në këto dy projekte dhe disa të tjera janë ndërprerë shkaku i kushteve atmosferike, ndërsa nënkryetari Kadriu i ka urdhëruar kompanitë që të fillojnë punën në terren që nga datat 2 mars.

Duke folur për rëndësinë e investimeve infrastrukturore, të cilat janë prioritetet kryesore të qeverisjes Haziri, nënkryetari Kadriu theksoi se ndërtimi i këtyre trotuareve do t’u ofrojë mundësi më të mira të qarkullimit të qytetarëve, e kryesorja, sipas tij, është që me këtë do të shmanget rreziku ndaj qytetarëve nga automjetet, që shpesh herë kanë qenë vdekjeprurëse.

RCCOLA

“Unë i urdhërova kompanitë që të rifillojnë punimet më 2 mars në mënyrë që të kryhen punët sipas dinamikës së paraparë me kontratë. Këto projekte janë vazhdimësi e qindra projekteve që janë realizuar në kuadër të implementimit të katërshes së madhe të prioriteteve të Komunës së Gjilanit, ku hynë infrastruktura me të gjitha elementet përcjellëse. Ndërtimi i këtij trotuari iu mundëson qytetarëve që të qarkullojnë më lirshëm. Viti 2015 do të jetë vit i punëve dhe projekteve të mëdha në infrastrukturë”, ka thënë nënkryetari Kadriu.

Projekti për ndërtimin e trotuarit nga shkolla “Abaz Ajeti” deri tek shkolla “Mulla Idriz
Gjilani” në Velekincë është investim nga të hyrat komunale dhe kap vlerën e mbi 118 mijë eurosh, ndërsa projekti i ndërtimit të trotuarit në “Zabel” kap shifrën e afro 60 mijë eurosh./rajonipress/