UBT

Kadriu i AAK-së viziton drejtorin e arsimit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga komisioni i ekspertëve për arsim të kësaj partie, vizitoi të mërkurën Drejtorinë Komunale për Arsim. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja për së afërmi me gjendjen në të cilën gjendet Gjilani, sa i përket fushës së arsimit, për arritjet dhe ngecjet në këtë fushë.

Kryetari i AAK, Rexhep Kadriu dhe ekspertët për arsim në kuadër të AAK-së në përbërje të Fadil Gashi, Ajtene Shahiqi, Mevlyde Zejnullahu, Fidan Shaqiri, Antigona Keka dhe Mimoza Klaiqi, u pritën nga drejtori për arsim në komunën e Gjilanit, Bujar Nevzadi, i cili i informoi mbi aktivitetet kryesore që kjo drejtori i ushtron.

Ajo çfarë ishte në interes për kryetarin e AAK-së, kishte të bënte me infrastrukturën, procesin mësimor dhe sigurinë e ofruar nëpër shkolla.

Bujar Nevzadi tha se janë ndërtuar 20 mijë metra katror hapësirë shkollore dhe pritet të ndërtohen edhe gjashtë fusha të sportit.

Nevzadi ka thënë se cilësia në shkolla është e mirë edhe pse ka ende vend për rezultate më të mira dhe më inkurajuese.

KKVITI

Edhe rreth sigurisë Nevzadi tha se siguria në shkollat e Gjilanit është më e mira në nivel të Kosovës.”Kemi pasur pak incidente dhe kemi arritur që të krijojmë siguri të kënaqshme dhe kjo është arritur falë punës së palodhshme të drejtorisë së arsimit, profesorëve, nxënësve dhe prindërve tanë” ka thënë Nevzadi.

Pyetjes së anëtares së komisionit të ekspertëve në kuadër të AAK-së Mevlyde Zejnullahu, se çfarë do të ndodhë me shkollën e bujqësisë, objekti i së cilës ka përfunduar ndërsa mësimi nuk ka filluar ende në atë objekte, Nevzadi iu përgjigj duke thënë se është pritur që të përfundojë ky vit shkollor dhe mësimi atje të filloj më 1 shtator të këtij viti.

Sa i përket bashkëpunimit me drejtorët e shkollave dhe çështjes së ligjit mbi ruajtjen e vendit të punës për të gjithë ata që mbajnë postet e drejtorëve, çështje kjo e shtruar nga Fadil Gashi, Nevzadi iu përgjigj duke thënë se ekziston një bashkëpunim shumë i mirë dhe se kjo deri tani është parë, pasiqë është larguar nga posti secili që nuk ka treguar bashkëpunim të mirë me të, ndërsa shtoi se do të zbatohet në përpikëri ligji për ruajtjen e vendit të punës, për drejtorët e shkollave.

Pyetjes së Fidan Shaqiri, anëtarë i komisionit të AAK-së, në lidhje me menaxhimin e buxhetit nëpër shkolla, Nevzadi iu përgjigj duke thënë se duke filluar nga shtatori i këtij viti, do të bëhet bartja komplete e kompetencave nëpër shkolla.

Ky takim i kryetarit të AAK-së Rexhep Kadriu dhe ekipit të ekspertëve të arsimit në kuadër të AAK-së, ishte takim i radhës i punës, në kuadër të takime të shumta të kryetarit Kadriu me drejtoritë komunale thuhet në një njoftim të degës së AAK-së në Gjilan./rajonipress/