Kadriu i AAK-së i premton Velekincës një xhami

Gjilan – Kryetari i AAK-së në Gjilan njëherit kandidat për kryetar të komunës Rexhep Kadriu të shtunën ka qëndruar në Velekincë, ku ka biseduar me banorët e kësaj lagje për mundësinë e ndërtimit të një xhamie.
Kjo lagje, e cila ka një numër të konsiderueshëm të banorëve, duhet të shkojë në xhaminë e lagjes „Arbëria“ për tu falur, sepse nuk kanë një xhami të veten.
Qytetarët e kësaj lagje të shtunën kanë bashkëbiseduar me Kadriun, për mundësinë e ndërtimit të një xhamie në të ardhmen, mundësi kjo për të cilën Kadriu është shprehur shumë pozitiv.
Ai ka thënë se Aleanca po punon në realizimin e shumë projekteve dhe se ka parë shqetësimin e kësaj lagje, ndërsa ka shtuar se bashkë do të gjejnë zgjidhje.
„Unë jam ithtarë i ofrimit të kushteve të mira për të gjithë ata që falen, prandaj edhe kam ndihmuar edhe më parë në ndërtimin e disa xhamive. Këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen dhe besojë që në një të ardhme të afërt në lagjen tuaj do të ndërtohet një xhami“, ka thënë Kadriu.
„Ju keni përkrahjen time maksimale për realizimin e kësaj ideje dhe kësaj i përkrahje i bashkëngjitet edhe kandidati i kësaj lagje për asamblenë komunale nga radhët e AAK-së Sahit Zuzaku, i cili po punon që të përfaqësojë denjësisht interesat tuaja“, ka shtuar më tej ai.
Banorët janë shprehur të kënaqur për vizitën e Kadriu, ndërsa kanë premtuar se nëse një projekt i tillë niset, ata do të ofrojnë ndihmë fizike dhe përkrahjen maksimale, meqenëse financiarisht si lagje nuk qëndrojnë mirë./rajonipress/