Kadriu: Do ta ndërrojmë qasjen ndaj personave me aftësi të kufizuara

Gjilan – Ne duhet të fokusohemi për të gjetur zgjidhje për ju dhe jo të rrisim kaosin duke krijuar shoqata tjera për personat me aftësi të kufizuara, siç ka bërë kryetari i tanishëm i komunës sonë. Duhet ta ndërrojmë qasjen ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, sepse deri më tani qasja ndaj tyre ka qenë e gabuar. Duhet t`i krijojmë kushte që të integrohen në shoqëri dhe jo të mbesin mbrapa ka thënë Rexhep Kadriu.
Përfaqësues të HANDIKOS-it dhe Shoqatës së Verbërve në Gjilan, të enjten kanë vizituar kryetarin e AAK-së në Gjilan dhe njëherit kandidatin për kryetar të komunës Rexhep Kadriu.
Qëllimi i kësaj vizite në subjektet politike, ka të bëjë me fillimin e fushatës zgjedhore.
Fatmir Shurdhani ka thënë se në emër të përfaqësuesve të HANDIKOS-it dhe Shoqatës së Verbërve në Gjilan, i uron kryetarit Kadriu një fushatë të mbarshme dhe të qetë.
“Urojmë që kjo fushatë zgjedhore të kalojë e qetë dhe pa incidente dhe të vlerësohet verdikti i qytetarëve ashtu siç duhet, të mos ketë manipulime. Ndërsa, pa marrë parasysh kush do ta marrë postin e të parit, shpresojmë në një bashkëpunim më të mirë me ne”, ka thënë Shurdhani.
Ndërsa, Bajram Spahiu përfaqësues i Shoqatës së Verbërve në Gjilan, ka thënë se shoqata ku ai bënë pjesë ka dhënë një kontribut të madh dhe të vazhdueshëm dhe se edhe ata janë pjesë e shoqërisë sonë, prandaj uron në një bashkëpunim më të sinqertë në të ardhmen.“Urojmë një fushatë të qetë, të mirë dhe të suksesshme. Ne po i përcjellim programet e juaja zgjedhore dhe ju falënderojmë për përkushtimin dhe hapësirën që po na e jepni”, ka thënë Spahiu.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, ka falënderuar përfaqësuesit për gatishmërinë për të vizituar atë dhe subjektin.
“Vizita juaj ka interes të dyanshëm, por interesi më i madh i shkon personave me aftësi të kufizuara. Ne duhet të fokusohemi për të gjetur zgjidhje për ju dhe jo të rrisim kaosin duke krijuar shoqata tjera për personat me aftësi të kufizuara, siç ka bërë kryetari i tanishëm i komunës sonë. Duhet ta ndërrojmë qasjen ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, sepse deri më tani qasja ndaj tyre ka qenë e gabuar. Duhet t`i krijojmë kushte që të integrohen në shoqëri dhe jo të mbesin mbrapa”, ka thënë Kadriu.
Takimi ka vazhduar në formë bashkëbisedimi, duke folur kështu edhe për mundësitë që fëmijëve me aftësi të kufizuara i ofrohen në për shkolla. Kadriu ka prezantuar para të pranishmëve programin e tij për këtë kategori, duke premtuar se do të jenë të privilegjuar dhe se do t`i gëzojnë të gjitha kushtet e merituara thuhet në njoftimin e degës së AAK-së në Gjilan./rajonipress/