RCCOLA

Kadriu: Bizneset prioritet i parë në mandatin tim

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kryetari i AAK-së në Gjilan dhe njëherit kandidat për kryetar të komunës Rexhep Kadriu, ka thënë se bizneset janë pika e parë me të cilën ai do të merret me marrjen e mandatit.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit Rexhep Kadriu, të enjten ka vizituar dy nga bizneset që funksionojnë në fshatin Bresalc. Ai është takuar me Shefik Muja pronar i një ferme si dhe Agim Halili pronar i fabrikës për prodhimin e kuzhinave, me të cilët ka diskutuar për vështirësitë që këta dy biznesmenë kanë, gjatë ushtrimit të biznesit të tyre.
Agim Halili, pronar i fabrikës për prodhimin e kuzhinave ka thënë se si biznes asnjëherë nuk ka pasur as më të voglin përfitim nga komuna e Gjilanit.

„Edhe pse i kemi tri objekte prodhuese dhe pavarësisht premtimeve se do ta rregullojnë rrugën, kjo nuk ka ndodhur deri më sot. Në Bresalc ka lagje që nuk ka shumë shtëpi dhe infrastrukturë shumë të dëmtuar, megjithatë e kanë asfaltin deri para dyerve, ndërsa neve që sjellim beneficione edhe për komunën, nuk kanë ndihmuar asnjëherë“, ka thënë Halili.

Ai ka thënë se disa herë me mjete të veta janë munduar ta rregullojnë rrugën për aq sa kanë pasur mundësi, por është shprehur i zhgënjyer dhe i dëshpëruar nga kryetari aktual Qemajl Mustafa, i cili përgjatë dy mandateve të tij nuk ka dhënë as më të voglën ndihmë për këto biznese.

„Në fabrikën tonë kemi 23 punëtorë, ndërsa kemi probleme të mëdha me rrymë, kanalizim dhe ujësjellës. Kryetari i komunës ndoshta nuk është i vetëdijshëm, por me punësimin e 23 personave ne ndihmojmë në zbutjen e papunësisë dhe përmirësimin e kushteve për qytetarë, ndërsa nuk marrim as atë që na takon si biznes“, ka thënë më tej Halili.

Eco Higjiena

I pakënaqur me kushtet është shprehur edhe pronari i fermës Shefik Muja, i cili gjithashtu nuk ka marrë asnjëherë ndihmë nga pushteti komunal, për zhvillimin e biznesit të tij.

Ndërsa, kryetari i AAK-së në Gjilan dhe njëherit kandidat për kryetar të komunës Rexhep Kadriu, ka thënë se bizneset janë pika e parë me të cilën ai do të merret me marrjen e mandatit.

„Prioritet i yni është zhvillimi i ekonomisë, e një zhvillim i mire ekonomik mund të rrjedhë vetëm nëse bizneseve u ofrohet ambient i përshtatshëm pune, kushte të mira si dhe mbështetje për ecjen e biznesit të tyre. Ajo çfarë unë do të bëjë për fillim, është rregullimi i rrugëve që qon tek çfarëdo biznesi, sepse mungesa e infrastrukturës së mirë shkakton probleme dhe ngecje të mëdha“, ka thënë Kadriu.

Pronarët e këtyre bizneseve janë shprehur falënderues ndaj kryetarit Kadriu për vizitën e bërë, ndërsa kanë thënë se shpresojnë që në krye të Gjilanit të vije dikush që vërtetë mendon për ta.

Ndërkaq, Kadriu në këtë vizitë, është shoqëruar nga bartësi i listës së AAK-së Selami Xhemaili dhe kandidati për këshilltar komunal nga ky regjion Halil Shala, ndërsa është pritur nga kryetari i nëndegës së AAK-së në Bresalc , Pajazit Muja dhe anëtarë të tjerë të strukturës thuhet në njoftimin e degës së AAK-së në Gjilan./rajonipress/