Kadri Veseli u premton ambasadorëve se zgjedhja e Presidentit do të jetë demokratike
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli, priti sot në takim Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, z.Greg Delawie, Ambasadorin e Britanisë së Madhe, z, Ruairi O’Connell, si dhe Ambasadorin e Norvergjisë, z. Jan Braathu.
Në këto takime u bisedua për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punë e Kuvendit të Kosovës.
Ambasadorët theksuan domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike. Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizmin demokratik të shtetit.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka hedhur të gjithë përgjegjësinë te klasa politike në Kosovë, për situatën e krijuar tash e disa kohë.
Pas një takimi që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, O’Connell tha se biseduan për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ku për këtë tha se një kërkesë e tillë duhet të caktohet prej vet kosovarëve.
“Kemi biseduar për çështjen e presidentit. Liderët e Kosovës do të zgjedhin sipas ligjeve të Kosovës. Është shumë më rëndësi qe të respektohet ligji. Është shumë më rendësi për perspektiven evropiane. Kërkesa përzgjedhjen duhet të zgjidhet prej kosovareve jo prej neve. Unë po pres qe të shoh çka ka më ndodhë. Kosova është përgjegjëse për zhvillimet në Kosovë”, ka thënë O’Connell.
Kryetari Veseli nga ana e tij theksoi se vazhdon të besojë dhe angazhohet që fryma e dialogut dhe komunikimit në fund do të dominoj mbi të gjitha tendencat destruktive politike. Në këto takime u bisedua edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës.
Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa Kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv.
Në anën tjetër Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jan Braathu ka porositur partitë opozitare që të ndjekin rregullat dhe Kushtetutën, e jo të vendosin vetë për të ardhmen e vendit.


