KKVITI

Kadare: Nuk pranoj të kandidoj për President

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u takua dje me shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Ashtu siç u konfirmua edhe nga Ambasada Amerikane, por edhe nga shkrimtari i madh, Arvizu dhe Kadare kanë pirë një kafe, dje, në orën 11:00, të paradites, në një nga lokalet në periferi të Tiranës, gati përballë rezidencës amerikane.

Takimi vjen në kohën kur në Shqipëri është duke u diskutuar për gjetjen e një kandidati të përshtatshëm për këtë post dhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu është angazhuar mjaft në këtë proces. Por, nga ana e tij, shkrimtari Kadare, i cili është lakuar disa herë si personi që mund të ishte më i përshtatshmi për të përfaqësuar unitetin popullor, mohon që edhe këtë herë të pranojë kandidimin për president.

Në një intervistë telefonike, për “Gazeta Shqiptare”, Kadare pranoi takimin me ambasadorin amerikan, Arvizu, me të cilin tashmë kanë një miqësi dhe bisedojnë sa herë që shkrimtari vjen në Tiranë, nga Franca.

Por, në këtë intervistë ai hedh poshtë çdo lloj lidhje të tij me pushtetin dhe me postin e Presidentit të Republikës, edhe pse që prej zgjedhjeve të vitit 2002, ai është emri që shihet si më konsensuali dhe më i pranueshmi mes të gjithë krahëve të politikës. “Nuk marr pjesë në këtë gjë.Nuk jam pjesë në këtë rast.

Nuk është një sferë që lidhet me mua. Siç lidhet me ju të gjithë, po aq lidhet edhe me mua, si qytetar dhe po aq jam i interesuar edhe unë”, u përgjigj Kadare i pyetur nga gazeta, nëse ai do të pranonte këtë herë të merrte një funksion të lartë shtetëror, nëse i propozohet nga dy partitë e mëdha politike në vend.

Edhe gjatë takimit me ambasadorin Arvizu, Kadare shpjegon se “kanë biseduar për gjithçka dhe për asgjë”, duke lënë të kuptohet se edhe çështja e Presidentit është kaluar si temë, por gjithsesi ai shprehet prerë se çështja e kandidimit për presidentit nga vetë ai, as nuk shtrohet: “Nuk mund të bëhem pjesë në këtë çështje”, u shpreh shkrimtari i madh.

Zoti Kadare, ju sot jeni takuar me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. A mund të na thoni, përse biseduat me ambasadorin dhe nëse pjesë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit?

Ne biseduam për gjithçka dhe për asgjë. Ishte një takim rutine. Ne pimë një kafe bashkë sot në mëngjes, rreth orës 11:00. Ne jemi miq e bisedojmë për gjithfarë gjërash. Nuk mund të them ndonjë gjë të veçantë, më shumë se kaq.

A keni këtë herë ndonjë ofertë të veçantë, për të kandiduar për postin e presidentit?

Eco Higjiena

Nuk marr pjesë në këtë gjë. Nuk jam pjesë në këtë rast. Nuk është një sferë që lidhet me mua. Siç lidhet me ju të gjithë, po aq lidhet edhe me mua, si qytetar dhe po aq jam i interesuar edhe unë.

Meqenëse ju keni qenë një nga kandidatët, të cilëve u është ofruar ky post, a mos edhe këtë herë kemi të bëjmë me një ofertë për të qenë ju kandidati konsensual mbi palët?

Jo, mua më kanë propozuar, por jo. Nuk jam kandidat. Nuk ka lidhje. Unë me ambasadorin amerikan kam një miqësi. Disa herë kam ngrënë darka, kam pirë kafe dhe e kemi bërë si zakon.

Nëse do të ketë një propozim për emrin tuaj këtë herë, për të zgjidhur çështjen e presidentit, a do të pranonit?
As nuk diskutohet, vetëm ajo nuk shtrohet për diskutim për mua. Unë jam shkrimtar dhe kam fushën time të veprimit. Nuk mund të bëhem pjesë në këtë çështje.

Helena Kadare: Edi Rama iu lut Ismailit të pranonte për President

Bashkëshortja e shkrimtarit të madh, Kadare, njëherësh edhe shkrimtare, Elena Kadare, në librin e saj me kujtime, “Kohë e pamjaftueshme” prek edhe çështjen e ofertave që Ismailit ju bënë për t’u bërë President.

Në librin që erdhi në gjuhën shqipe vjet, pas botimit në Franë, për herë të parë, Elena Kadare përshkruan në një mënyrë mjaft interesante, duke publikuar edhe mesazhet telefonike të Edi Ramës, pritshmërinë që kishte kreu i opozitës sot, që Kadare të pranonte të kandidonte për President.

Ngjarjet kanë ndodhur në verën e vitit 2007, në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku Helena Kadare ka treguar me detaje përpjekjet që Edi Rama ka bërë që shkrimtari të pranonte të merrte postin e presidentit në një moment të vështirë për shqiptarët.

Mesazhet e publikuara në libër, u botuan në tetor të vitit të shkuar nga “Gazeta Shqiptare”. Ndër këto mesazhe, Rama i shkruan Helenës, me të cilën kishte një miqësi që nga koha kur ai qëndronte në Francë: “do i kërkonim me përulje Ismailit të bëhej i pari i këtij vendi, a e sheh ti ndonjë shans?”

Gazeta Shqiptare