Fundamenti

Kadare nderohet me çmimin “Ali Podrimja”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ismail Kadare dhe Ali Podrimja janë shkrimtarët më të përkthyer e më të njohur në letrat shqipe. I pari i njohur më shumë në fushën e prozës e tjetri i njohur më shumë në fushën e poezisë. Njëri i gjallë dhe tjetri i vdekur.

Për të nderuar poetin e ndjerë Ali Podrimja, Universiteti privat AAB në Prishtinë, ka vendosur që të themelojë çmimin “Ali Podrimja”, dhe të parin si më të merituarin për këtë çmim, ky institucion ka zgjedhur shkrimtarin Ismail Kadare. Çmimi do t’i ndahet Kadaresë sonte në mbrëmje, në ambientet e këtij institucioni.

Rektori i Universitetit AAB, Lulzim Tafa, tha se edhe më herët janë ndarë çmime të ndryshme për arritje shkencore, në sport dhe në art, por për letërsi është hera e parë.

“Ideja për çmimin ‘Ali Podrimja’ ishte diskutuar para vdekjes së poetit, por pas vdekjes së tij duke ditur për krijimtarinë e tij të dalluar kemi vendosur që çmimin për letërsi ta quajmë ‘Ali Podrimja’”, ka thënë Lulzim Tafa për “Zërin”.

Ai tha se për kandidatin e dhënies së çmimit të parë për letërsinë nga institucioni që udhëheq, është formuar një juri profesionale e përbërë nga poetë dhe profesorë.

“Universiteti e ka themeluar jurinë profesionale në përbërje të profesorëve të letërsisë, shkrimtarëve të cilët kanë përcjellë krijimtarinë e personaliteteve të shumta, kombëtare dhe ndërkombëtare”, tregon ai.

Ndërkaq për dhënien e këtij çmimi Kadaresë, Tafa tha se juria ishte bazuar në krijimtarinë e shkrimtarit. “Duke parë që Kadare është shkrimtari më i shquar, sikur Podrimja që është në letërsi, ai është në prozë e poezi, dhe juria ka vendosur t’ia dhurojë Kadaresë”, duke shtuar se nuk ka pasur kandidat tjetër për dhënien e këtij çmimi, duke marrë parasysh emrin që ka Kadareja dhe renomeja që ka fituar.

Eco Higjiena

Tafa konsideron se ceremonia do të jetë shumë e veçantë. “Ali Podrimja si njëri nga shkrimtarët më me nam në të gjithë shqiptarinë, ka merituar të ketë një çmim të tillë në emrin e tij po ashtu edhe Kadareja, si një shkrimtar tepër i dalluar gjithashtu ka merituar një çmim të tillë, prandaj besoj se kjo ceremoni do të jetë shumë e veçantë”, tha ai.

Rektori tha se për organizimin e kësaj ceremonie është dashur përgatitje vetëm teknike të cilat kanë zgjatur rreth dy javë, pasi që ideja ishte më herët.

Tafa thotë për gazetën se ky çmim mund të shndërrohet në çmimin më të madh letrar jo vetëm në Kosovë: “Pretendohet të jetë çmimi më i madh i letërsisë i ndarë ndonjëherë në Kosovë dhe ndoshta edhe në rajon”. Përveç ndarjes së çmimit, organizatorët thonë se do të ketë një natë plot art.

“Do të përformojë dhe kori i Filarmonisë së Kosovës, ndërkaq aktorët profesionistë të Teatrit Kombëtar do të interpretojnë poezi të Ismail Kadaresë, do të mbajë fjalim edhe njëri nga anëtarët e jurisë për arsyeshmërinë e këtij çmimi si dhe Kadare”, tregon Tafa. Ai shtoi se do të mendohet që ndarja e këtij çmimi të bëhet tradicionale, dhe të ndahet çdo vit.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare të tillë si: “The Booker Prize Man”, pastaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”, ai u nderua me çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, po ashtu ai është fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për romanin “Darka e gabuar”.

Kadare po ashtu disa herë ka qenë një ndër pretendetët kryesorë për ta fituar çmimin Nobel për Letërsi. Ndër kandidatët kryesorë për këtë çmim ishte edhe vitin e kaluar./zeri/