Kadare kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, sipas gazetes KohaJone, thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan.

“Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët dhe serbët, dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dëm të sovranitetit të Kosovës!

Askush s’ka të drejtë, Serbia hiç e më hiç, të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta te fundit nuk janë rehat. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë….’

Më pas, duke komentuar situatën në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh.

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”.

Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekulli të shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim te Krahinës së Preshevës sipas të cilit trevat i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu.

Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë”.

“Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thëne në fund Kadare, shkruan Koha Jonë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).