ARKATANA

Kadare as sivjet nuk e fiton çmimin e madh

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Rokeri dhe poeti amerikan, Bob Dylan është zgjedhur dje fituesi i sivjetmë i Çmimit “Nobel” për letërsinë nga Akademia e Shkencave Suedeze. Kjo përzgjedhje ka befasuar botën, pasi pakkush ka pritur që amerikani të rrëmbejë “Nobelin” për sivjet, kur dihet se në konkurrencë ishin emra të mëdhenj botërorë të letërsisë.

Dylan në garë për “Nobelin” e sivjetmë ka “mposhtur” shumë kolosë botërorë, në mesin e tyre edhe emra si Milan Kundera, Ismail Kadare etj. Në mesin e garuesve të këtij çmim për këtë viti ishte edhe akademik Rexhep Qosja. Pavarësisht rezultatit, dy kandidaturat e letërsisë shqipe për këtë çmim janë mirëpritur nga audienca shqiptare. Kurse, kandidimi i Qosjes fatkeqësisht edhe pse ishte risi, nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga institucionet shtetërore kosovare. Sido që të jetë, për krijuesit dhe studiuesit tanë garimi i shkrimtarëve për këtë çmim flet për nivelin e zhvillimit të letërsisë sonë, por edhe zgjerimin e audiencës për shumë krijues, krijimet e të cilëve vazhdojë të përkthehen në gjuhë të huaj, sidomos ato të mëdha.

Letërsisë shqipe po i bëhet e padrejtë

Ndryshe, fituesi i çmimit “Nobel” për këtë vit është kumtuar, dje (të enjten) pak pas mesditës, duke lënë të befasuar me përzgjedhjen. I befasuar ka mbetur edhe publicisti dhe shkrimtari Shaqir Foniqi. Pavarësisht se edhe këtë viti nuk u zgjodh, shkrimtari i preferuar i shqiptarëve, për Foniqin, Ismail Kadare mbetet fitues moral i këtij çmimi. “Si të thuash, lajmi se Bob Dylan fitoi Nobelin për këtë vit befasoi të gjithë. Kadare disa vjet radhazi është në listën e ngushtë për të marrë këtë çmim, por ja që nuk po ndodh. Sido që të jetë, për mua Kadareja është fitues moral i këtij çmimi”, ka thënë Foniqi, duke shtuar se Kadaresë është duke iu bërë e padrejtë, me këtë edhe gjithë letërsisë shqiptare. Ai ka thënë se me triumfin e Kadaresë do të fitonte vetë “Nobeli”. Foniqi ka thënë se zgjedhja e Dylanit si fitues i “Nobelit” shtron dilemat, nëse u thyen rregullat e këtij çmimi prestigjioz. Sido që të jetë, Foniqi ka thënë se Dylan është një ikonë dhe një nga kantautorët më të njohur të botës, i cili me krijimet e tij jo pak magjepsi publikun e gjerë jo vetëm amerikan.

UBT

Vetë kandidimi i Qosjes ishte sukses

Edhe botuesi Behxhet Bici është shprehur të ketë mbetur i befasuar me fituesin e sivjetmë të “Nobelit”. Ai ka thënë se edhe nëse Qosja do ta merrte “Nobelin”, shqiptarët do të befasoheshin. “Qosja është shkencë- tar i letërsisë, por jo shkrimtar i përmasave sikur Kadare”, ka thënë Bici, duke shtuar se kandidimi i kolosëve të letrave shqipe për këtë çmim është dobiprurës për letërsisë shqipe.

Sipas tij, do të ishte e mirëseardhur cilido prej tyre të merrte “Nobelin”, por që Kadare i ka disa avantazhe. “Që në fillim mendoj se nëse eventualisht Kadare do e fitonte Nobelin pakkush do befasohej. Së pari, është i përkthyer në shumë gjuhë dhe atë pa e përdorur ndihmën e shtetit që i bie që moti i ka kaluar kufijtë nacionalë si shkrimtar”, ka thënë Bici, duke vazhduar se për kandidimin e Qosjes dhe fitoren eventuale ishte skeptik. “Jam skeptik që anëtarët e jurisë së Nobelit i lexojnë gjithë ato nominime nga shtetet e ndryshme që u vijnë. Pa dyshim mirë do ishte ta fitonte edhe Qosja”, ka thënë botuesi Bici. Ka disa vite që shkrimtari Ismail Kadare shihet si një nga pretendentët për çmimin “Nobel”, por pa mundur ta marrë këtë çmim, ndërsa kandidimi i Qosjes është bërë për herë të parë. Pavarësisht divergjencave, përballjeve, fyerjeve dhe akuzave ndaj njëri-tjetrit, të dy, Kadare dhe Qosja, mbeten si dy krijuesit më të mëdhenj të letrave shqipe, krijimet e të cilëve bartin, sipas studiuesve, tematika dhe mesazhe universale.

(Kosova Sot)