RCCOLA

Ka ndërruar jetë Jahi Shabani, një arsimdashës i merituar i shkollës shqipe

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Shumë rëndë qenka të shkruash për shokun, mikun dhe arsimdashësin e merituar të shkollës shqipe, Jahi Shabanin, profesor, i cili pa pritur, sot ndërroi jetë. Ai, nga sot na mungon dhe ka shkuar në përjetësi. Dhe, papritur na erdhi kumti se ai ndërroi jetën “tjetër” të jetës. Kjo është jeta, e cila po i merr njerëzit para kohe dhe pa i pyetur fare. Kjo është jetë mashtruese e njeriut. Jetë që në çdo vend e kohë, të merr dhe nuk të lë të kthehesh pas! Pra, jetë tinzare dhe e pamëshirshme, edhe e pa pasigurtë…

Dhe, vdekja e secilit njeri vjen pa adresë. Pa adresë e mori edhe Jahi Shabanin, profesorin e biologjisë nga Begunca e Vitisë, i cili, tërë kohën, sa punoi me ditar në dorë, ia ka kushtoi edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja. Por, njeriu, duke punuar, e harron jetën dhe vdekjen. E, vdekja tinzare vjen dhe na merr kur të dojë. E mori në mënyrë tinzare edhe shokun, mikun e arsimdashësin tonë Jashi Shabanin, profesorin e një kohe të Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan. Jo vetëm kaq.

Siç dihet, Jahi Shabani është i lindur më fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, më 17 mars të vitit 1960. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Viti. Pas këtij shkollimi, ai regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore – dega e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës. Me kohë diplomoi dhe u kthye të punojë në profesionin e tij prej profesorit të biologjisë.

Për herë të parë filloi të punojë me ditar në dorë në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, më 1986, ku punoi gjer në vitin 2003. Në këtë institucion të lartë arsimor, Jahiu qe shembull për të tjerë. Ishte shok, mik dhe arsimdashës i madh i jetës arsimore. Udhëtoi çdo ditë nga fshati Beguncë gjer në Gjilan dhe anasjelltas. Nuk është ankuar asnjëherë, por përherë me vete ka bartur libra e dokumente të ndryshme për orën mësimore. Ora e tij ishte një takt, e cila rrumbullakësohej dhe përcillej lart nga shkollarët e gjimnazit në fjalë. Ishte shok i ëmbël dhe tejet komunikues me të gjithë kolegët e punës. E donte lojën, por e donte edhe shkencën e dijes.

Uji Dea

Ndonëse udhëtoi disa kilometra larg vendlindje gjer në shkollë, asnjëherë ai nuk bëri mungesa në punë. Përherë ishte i pari në shkollë dhe orë mësimore. Por, nynte edhe në kabinet dhe shfletonte dije për shkollarë. Kur mbaronte ora mësimore, shkollarët e falënderonin për ligjërimin e tij në nivel të duhur. Andaj, shumë herë, nga ora mësimore, atë e shoqëronin shkollarët gjer tek dera e shkollës dhe kurrë nuk është ankuar se nuk ia mësonin lëndën. Por, përherë, në ditar shënonte nota të larta, sepse shkollarët ia mësonin lëndën dhe ia ndritnin orën mësimore ashtu si duhej. Dhe, jo vetëm kaq.

Një ditë prej ditëve, Jahi Shabani, shoku e miku ynë, na “iku” kah vendlindja, Begunca e Vitisë. Gjeti vend afër familjes e rrethit. Ai filloi të punojë në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti si profesor i lëndës së Biologjisë. Edhe atje, Jahi Shabani, profesor, qe i merituar dhe i shpërblyer me shumë mirënjohje dhe fletëlavdërata. Këtu qe i nderuar jo vetëm nga kolegët e tij të shkollës, por edhe nga shkollarët e këtij gjimnazi në fjalë. Por, ja jeta tinzare. Ajo po i merr njerëzit pa i pyetur fare. E mori edhe Jahi Shabanin, profesor. Ai sot na mungon si shok, por më së shumti i mungon familjes së tij.

Jahi Shabani ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare në fshatin Beguncë./tefik selimi/rajonipress/