RCCOLA

Ka ikur koha e Fatmir Sejdiut

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Eqrem Kryeziu e ka akuzuar ish-shefin e tij partiak, Fatmir Sejdiun se e ka kopjuar kur ka thënë se Kryetari aktual i LDK’së, Isa Mustafa është kalimtar në parti.

Ish-Nënkryetari i Parë i LDK’së, në një intervistë për Gazetën Express, ka thënë se qysh në Kuvendin e III-të të Partisë iu kishte thënë zyrtarëve të LDK’së se të gjithë janë kalimtar.

“Së pari, shprehja kalimtar ka qenë shprehja e ime që e pata thënë në Kuvendin e III-të të LDK’së, në vitin 1997. Atëherë pati ndodhur një përmbysje e disa zyrtarëve, ndër ta edhe Fatmir Sejdiu u largua krejt nga Kryesia. Në atë “tollovi” të atillë, unë e thash një atë shprehjen se të gjithë jemi kalimtar. Tash, zotni Fatmiri, me vetëdije apo jo e paska kopijuar atë”, ka thënë Kryeziu.

Anëtari i Kryesisë së LDK’së ka thënë se ish-Presidenti e ka modifikuar thënien e tij dhe ia ka përshtatur Georg Orwellit se “te gjitha kafshët janë të barabarta por derrat janë më të barabartë”.

Por, Kryeziu thotë se dallimi i fjalorit të Sejdiut nga Orwelli është se ky i fundit ka folur me cinizëm.

“Mirëpo, Fatmiri e paska modifikuar në stilin e George Orvellit se “se unë kam thënë të gjithë jemi kalimtar”, e ky po thotë se “po ka disa më kalimtar se kalimtarët”. Orwelli ka qenë cinik i madh, e ky nuk është cinik, ky po ka qejf njeri. Po ka dëshirë dhe nuk është cinik sikur Orwelli”, ka ironizuar Kryeziu fjalorin e Fatmir Sejdiut.

Deputeti i LDK’së ka thënë se nuk sheh kurrfarë perspektive të Fatmir Sejdiut sepse kur e ka pasur rastin të dëshmohet nuk ka treguar sukses.

UBT

“Po shihet se si është gjendja e Kosovës dhe e LDK’së. Po të kishte Fatmiri ndonjë meritë të pamohueshme edhe Kosova nuk do të ishte në këtë hall e edhe LDK’ja. Astrologjia ia kish pas caktue, por edhe vogëlsia ime i ka ndihmuar diçka për me u ba dy herë lider”, ka thënë ai.

“Zotni Fatmiri nuk e ka justifikuar as mundin tim e as shansin jetësor që e ka pasur. Sinqerisht nuk besoj se i ka justifikuar pozitat që i ka pasur”, ka thënë ai.

Paralajmërimet e ish-Presidentit për t’u rikthyer në krye të LDK’së, Eqrem Kryeziu thotë se ka ikur koha e Fatmir Sejdiut.

”I kam ndihmuar Fatmirit me e marrë shansin në dorë, njeriut nuk i vjen shpesh rasti me qenë President e Kryetar. Ai e pat dhe besoj se nuk e justifikoj hiq. Tash, unë jam kundër riciklimeve”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Lideri aktual i LDK’së ka një detyrë shumë të rëndë për t’ia kthyer besimin qytetarëve te partitë politike.

“S’beson kush në asnjë parti më – as në PDK’në, as te Ramushi, as te kurrkush hiq. Isa e ka këtë detyrë të rëndë që me e ngjall shpresën e njerëzve te partitë politike. Tash, a do t’ia del Isa me shokë apo nuk do t’ia del – unë për veti jam që Isa me ia dal kësaj pune mbanë”, ka thënë ai.