Juria vlerëson: Konkursi letrar ishte tejet i suksesshëm

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Juria e konkursit letrar “Flaka e janarit” 2016 në përbërje: Sinan Sadiku, Albina Idrizi dhe Aziz Mustafa vlerëson se konkursi letrar ishte tejet i suksesshëm.

Në konkurs kanë ardhur 81 poezi, rreth një e treta e të cilave me vlera të mirëfillta artistike, ndërsa gjysma e tyre janë veçuar në rrethin e ngushtë për shpërblime. Juria është e kënaqur me nivelin artistik të poezive dhe konsideron se ka prurje të reja edhe sa i përket gjuhës poetike, edhe sa i përket ritmit dhe ndërtimit të vargjeve e edhe sa u përket ideve, temave dhe shprehjes emocionale.

RCCOLA

Pas leximit, rileximit, dhe vlerësimit të poezive nga secili anëtar veç e veç, juria është takuar dhe pas propozimeve, diskutimeve e arsyetimeve në mënyrë unanime ka vendos të shpërblehen poezitë:
1. Vendi i parë, “Rrena më e bukur…”, shifra “Ëndrra `16” ( Ragip Sylaj – Suharekë )
2. Vendi i dytë, “Gardhi”, shifra “Shuej” ( Fadil Lepaja – Prishtinë )
3. Vendi i tretë, “N`amë të fjalve”, shifra “Blina” ( Myrvete Osmani – Prishtinë )
Në konkurs kanë ardhur 35 tregime. Vlerësojmë se është ruajtur niveli i viteve të kaluara edhe sa i përket sasisë e edhe sa i përket cilësisë. Dorën në zemër cilësia e tregimeve nuk është në nivelin e poezive. Juria ka vendos të shpërblehen tregimet:
1. Vendi i parë, “Letër nga larg”, shifra, “Artemisa 2016” ( Odise Plaku – Tiranë )
2. Vendin e dytë e ndajnë tregimet: “Dhimbje e bardhë”, shifra “Pengu i jetës” ( Mehmetali Rexhepi – Gjilan ) dhe “Njeriu i marrë”, shifra “Sheshi pa lule” ( Biser Mehmeti – Ferizaj )
3. Vendi i tretë, “Kokën tuaj do ta hani”, shifra “Lisi i ahut” ( Ismet Tafili – Gjilan )
Po ju njoftoj se janë eliminuar disa poezi dhe tregime për shkak se nuk u janë përmbajtur kritereve të konkursit. Konkretisht janë eliminuar pesë poezi, sepse e kanë tejkaluar dukshëm numrin e vargjeve të parapara në konkurs. Po ashtu janë eliminuar dy tregime, njëri për arsye se autorja në vend të shifrës e ka shënuar emrin dhe tjetri për arsye se e ka tejkaluar numrin e faqeve.

Për botim në revistën letrare – kulturore “Agmia” propozohen poezitë: “Sagë për Doruntinën, shifra “Konstandini”; “Koha ime e arnuar”, shifra “Krizantema”; “Ara – mara”, shifra “Flaka e janarit – 2016”; “T`braktisunit”, shifra “Moza”; “Prishtina”, shifra “Makoti”; “Misteri”, shifra “Andy”; “I mbrojtur nga vetja, ju dhe të tjerët”, shifra “Monologu”; “Bisedë me një grua të palumtur”, shifra “Faqja 97 e ditarit” dhe “Ikonë flijimi”, shifra “Jeta”. Po ashtu për botim propozohen tregimet: “Ma kujto buzëqeshjen cicërimë”, shifra “Cicërima”, “Përtej lartësive”, shifra “Dardani” dhe “Të dashurosh ilirishte”, shifra “Fyelli ilirik”./rajonipress/