FIDANISHTJA

Jonuz Hasani largohet nga puna, edhe pse vuante nga diabeti: “U diskriminova dhe u keqpërdora në orarin e punës”

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Pas afro katër vitesh pune në kompaninë “Flexograf”, Jonuz Hasani thotë se është larguar papritur dhe pa asnjë shpjegim të drejtpërdrejtë. Ai rrëfen se gjatë gjithë kësaj kohe është përballur me vështirësi shëndetësore për shkak të diabetit, por, sipas tij, menaxhmenti jo vetëm që nuk ka treguar mirëkuptim, por shpesh ka ushtruar presion dhe trajtim degradues.

“Kam diabet që nga rinia dhe marr insulinë dy herë në ditë. Shpesh më binte sheqeri dhe kisha nevojë për ushqim, por askush nuk interesohej. Ndihesha i diskriminuar dhe i keqpërdorur në orarin e punës,” thotë ai.

Rrëfimi i Jonuz Hasanit:

“Së pari, jam Jonuz Hasani nga Gjilani. Kam punuar gati katër vite në ‘Flexograf’, si operator i makinerisë së prerjes së etiketave vetëngjitëse. Problemet nisën kur menaxheri, filloi të sillej në mënyrë arrogante me mua, vetëm sepse kisha probleme shëndetësore.

Kur mora pushim mjekësor për tri ditë dhe raportin ia dorëzova kompanisë, ai më tha: ‘Mos e dëgjo mjekun se çka thotë, këtu është fabrikë dhe duhet të vish në punë!’

Në vend që të më ofronin mirëkuptim, më trajtonin si barrë.

Jam me insulinë prej vitesh dhe kur më ulej sheqeri, kisha nevojë të haja menjëherë. Por ai s’më lejonte ushqimin që më duhej për t’u stabilizuar. Më detyronte të qëndroja për orë të tëra në këmbë, pranë makinerisë me briska, duke rrezikuar të rrëzohesha e të pësoja ndonjë fatkeqësi të rëndë.

Njëherë madje e lëndova edhe krahun e djathtë nga puna e rëndë dhe monotone. Edhe pasi shkova te mjeku, nuk mora as trajtim, as mirëkuptim. Asgjë.”

Jonuzi thotë se atmosfera në kompani është e rëndë edhe për punëtorët e tjerë:

“Ju lus që të merren masa, sepse edhe punëtorët e tjerë nuk janë duke kaluar më mirë. Ka abuzime, diskriminim, keqpërdorim të orarit të punës dhe shumë gjëra të tjera që ligji nuk i lejon, por aty ndodhin çdo ditë.”

Fundamenti

Qëndrimi i kompanisë

Në njoftimin zyrtar të datës 27.11.2025, kompania “Flexograf” Sh.p.k. i komunikon Hasanit se kontrata e tij e punës nuk do të vazhdohet. Sipas dokumentit, ai ka qenë i angazhuar me kontratë me afat të caktuar nga 01 janar 2025 deri më 31 dhjetor 2025, dhe mos-vazhdimi mbështetet në:

Nenin 67, pika 1.3 të Ligjit Nr. 03/L-212

Nenin 71, pika 2 të të njëjtit ligj

Nenin 8.1 të kontratës së punës nr. 123/2025

Dokumenti thekson se kontrata “përfundon automatikisht” në datën e caktuar, pa kërkuar procedura shtesë. Në fund, punëtorit i shprehet falënderim për angazhimin dhe i urohen suksese të mëtejshme.

Reagimi i tij mbetet i qartë:

“Unë nuk kërkova privilegje, vetëm trajtim njerëzor dhe zbatim të ligjit. Aty u ndjeva i nënçmuar, i papërfillur dhe i rrezikuar. Askush nuk e meriton një ambient pune të tillë.”/rajonipress/