KKVITI

John Bolton: BE-ja s’mund ta zgjidhë problemin e Kosovës me Serbinë, ja pse isha për shkëmbim të territoreve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Janë dy çështje të pakapërcyeshme për ta zgjidhur përfundimisht problemin mes Kosovës dhe Serbisë, thotë John Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës së Donald Trump.

E para vjen në formën e një pyetje deklaron ai: “A është e ardhmja më e rëndësishme se e kaluara?”.

Dhe e dyta, e pashmangshme sipas Bolton, është se propozimi, apo ideja për zgjidhje finale duhet patjetër të burojë nga vetë palët dhe jo nga ndonjë faktor i jashtëm – qoftë Bashkimi Evropian, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, Bolton pohon se “mospajtimet e së kaluarës nuk do të zgjidhen nga këto negociata në Bashkimin Evropian”.

“Nuk janë zgjidhur tash e 20 vjet”, kujton ai kohën e gjatë të përfshirjes së Kosovës e Serbisë në negocime në Bruksel.

Duke folur për takimin e fundit tetorësh ku u takuan kryeministri, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç me ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borell e Miroslav Lajçak, Bolton deklaron se vetë fotografia e takimit i tregon të gjitha.

“Imazhi që më ka mbetur mua në mendje nga sot është që në njërën anë është kryeministri Kurti në anën tjetër presidenti Vuçiç dhe në krye të tavolinës Bashkimi Evropian. Thjesht kjo nuk kryen punë. Fotografia që duhet të shohim është dy liderët dhe askush tjetër në dhomë”, thotë Bolton në këtë intervistë për Albanian Post.

Në anën tjetër, duke i qëndruar mendimit të tij se propozimet nga jashtë nuk kanë sukses, parasheh që edhe propozimi i fundit franko-gjerman do ta ketë të njëjtin fat.

“Ky propozim pak a shumë e ngrinë status quon për të ardhmen”, fillon analiza e Bolton.

UBT

“Nëse thjesht po kërkoni një stabilitet të përkohshëm në terma afatshkurtër – që është bash stili i BE-së për t’iu qasur çështjeve – atëherë mbase ka kuptim, por nëse po kërkoni për zgjidhje të përhershme, atëherë qartësisht kjo nuk do kryejë punë”.

Prandaj, në vitin 2018, ai ishte bërë ithtar i një ideje tjetër, asaj për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sepse, ndryshe nga propozimet e tjera, kjo ide vinte nga vetë liderët thotë Bolton, ose të paktën ashtu iu kishte prezantuar atij.

“Unë më pas pata folur me të dy liderët, Thaçin dhe Vuçiç-in dhe ata ishin të gatshëm ta provonin, sepse nuk më takon mua si një i jashtëm të vij me një zgjidhje perfekte, u takon vetë palëve. Besova se ia vlente të provohej, më vjen keq që nuk funksionoi”.

Kundërshtar të asaj ideje – përveç kundërshtimeve të brendshme – ishin edhe disa liderë evropianë.

Bolton e ka disa ide pse.

Një nga arsyet, thotë ish-ambasadori i SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ishte frika se po të ndodhte mes Kosovës dhe Serbisë mund të prodhonte një cikël zhvillimesh në Ballkan.

Por, arsyeje tjetër, sipas Balton, ishte se “evropianët u irrituan që amerikanët ishin të përfshirë në këtë çështje”.