RCCOLA

Jo qeverisë “Thaçi 3”, përafrohet edhe më shumë blloku opozitar

/ 3 minuta lexim

Liderët e partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje kanë përafruar edhe më shumë për qëndrimet e tyre sa i përket themelimit të Qeverisë pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Pas takimit që kanë zhvilluar sot, krerët e këtyre partive kanë dalë me një qëndrim të përbashkët që asnjëra si subjekt politikë ndarazi, nuk do t’i përgjigjet ftesës së PDK-së, as pretendentit të kësaj partie për çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re.

Lideri i AAK-së, Haradinaj, ka thënë se janë në fazën e dytë të bisedimeve dhe janë përafruar jashtëzakonisht qëndrimet mes subjekteve politike për të formuar qeverinë e ardhshme.

Haradinaj tha se janë të një mendimi se nuk do të ketë qeveri “Thaçi 3”. Ndërsa, për kushtet e VV-së, ai tha që edhe ata janë për një dialog të mirëfilltë dhe jo pa kushte.

“Edhe nëse flasim për dialogun, VV-ja është në parim për dialog, por më kualitativ sesa ky i fundit dhe jemi që dialogu të kalojë në departamentin për zgjerim. Pra, ekziston mundësia për t’u gjetur terren i përbashkët. Kur flasim për privatizimin, koalicioni është për privatizim më kualitativ se në tërësi ka rënë, kanë rënë ofertat, transparenca, por edhe ofertuesit. Mund të gjejmë mundësi që t’i përmirësojmë në të ardhmen”, ka thënë Haradinaj.

UBT

Ndërsa, lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se janë duke përparuar bisedimet për krijimin e qeverisë së ardhshme. Sipas tij, kryesorja është se nuk do të ketë qeveri Thaçi 3.“Ne jemi shumë të vendosur që asnjëra prej këtyre subjekteve, por as subjekteve veç e veç, që mos t’i përgjigjemi PDK-së dhe mandatarit të saj të proklamuar për formimin e qeverisë. Ne nuk duam qeveri të re të regjimit të vjetër. Kosova ka nevojë për një qeveri të re, e cila e shpëton shtetin, duke e filtruar nga korrupsioni e duke i hapur rrugë zhvillimit ekonomik”, ka thënë Kurti pas takimit.

E, sa i përket përafrimit të Vetëvendosjes me tri subjektet tjera opozitare, Kurti ka përmendur pajtimet për dialogun dhe privatizimin.

Kurti ka thënë se bisedimet janë në fazën e dytë, ndërsa do të vazhdojnë në ditët në vazhdim. /Telegrafi/