Uji Dea

Jo nuk ndahet Prishtina

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë përgjigjen nga Ismet Beqiri sa i përket idesë për ta shndërruar “Kodrën e Trimave” në komunë të re ndaras nga Prishtina.

Kryetari i Degës së LDK’së në “Kodrën e Trimave”, Ismet Beqiri thotë se gjithçka që po e thotë Lideri i PDK’së po e bën nga paniku i humbjes së zgjedhjeve të ardhshme lokale në Prishtinë dhe Kosovë.

“Thjesht Hashim Thaçi po e bën këtë në panikun që e ka kaplu në humbjen që do ta përjetojë në Prishtinë dhe në shumë komuna tjera. Nuk mundet askush ta parcializoj Prishtinën dhe as ta përjashtoj Kodrën e Trimave nga Prishtina”, ka thënë Beqiri, për Express, të mërkurën.

Sot, Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga zyrtarët e pushtetit lokal të nguten në trajtimin e kërkesave për themelimin e komunave të reja, duke përmendur edhe presionin e qytetarëve për të bërë komunë edhe lagjen “Kodra e Trimave”.

“Ju ftoj t’i shqyrtoni edhe kërkesat e tjera. Por me theks të veçantë duke i përfshirë procedurat për formimin e komunës së ‘Kodrës se Trimave’, sepse presioni i qytetarëve është masiv dhe ne duhet të lëvizim si Qeveri e Kosovës”, i ka thënë sot Thaçi Zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Basri Musmurati.

Por, Ismet Beqiri thotë se nuk është e vërtetë se kjo pjesë e Prishtinës po dëshiron të ndahet prej kryeqytetit.

“Hashim Thaçi po gënjen kur po thotë që ka presion nga qytetarët për formimin e komunës së Kodrës së Trimave. Kjo është një gënjeshtër që këtij nuk i vjen turp me e thanë. Po ia bëj me dije z. Thaçi se cilat janë kërkesat e kësaj lagje mund t’ia dëshmoj para ndërtesës së Qeverisë. Aty do të përballet me qytetarët e “Kodrës së Trimave””, ka shtuar ai.

Ai thotë se për këtë pjesë të Prishtinës nuk mund të flet dikush që ka vetëm dhjetë për qind të votave, por duhet të flasin vetëm ata që kanë më shumë se 60 për qind të elektoratit.

“Është e kundërta sepse ky po bën presion dhe terror psikik dhe psikologjik ndaj qytetarëve me këto makinacione të dështuara”, ka deklaruar ai.

Idenë për themelimin e komunës së re të “Kodrës së Trimave” e ka përkrahur edhe kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri.

Hidromorava

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri thotë se zyrtarët e AAK’së nuk e njohin Prishtinën ndërsa flasin me gjuhën Liderit të PDK’së.

Ky zyrtar i LDK’së thotë se Lideri i PDK’së po merret me lagjet e Prishtinës edhe për faktin se po dëshiron të mos ballafaqohet me problemet që janë në Kosovë dhe brenda partisë së tij.

“Ky njeri e ka humbur rrugën në oborr. Ky vend ka shumë probleme dhe pikërisht se ka shumë probleme ky po tenton me këto gjëra me tërheq vëmendjen nga problemet e mëdha që i ka vendi. Ai po tregon një joseriozitet dhe një papërgjegjësi të një Kryetari të një partie dhe të një Kryeministri”.

Ish-kryetari i Prishtinës thotë Qeveria e Kosovës jo që nuk e ka ndihmuar asnjë lagje të Prishtinës, por e ka penguar edhe ligjërisht kryeqytetin.

“Hashim Thaçi nuk mund të vendos për Kodrën e Trimave. Ai nuk e ka bërë asnjë hap për Kodrën e Trimave. Përkundrazi, ai e ka penguar këtë lagje dhe krejt Prishtinën.

Sipas tij, Prishtina nuk mund të ndahet në komuna të tjera meqë me Kushtetutë është e përcaktuar se është një njësi.

“Pse duhet të bëhet vetëm Kodra e Trimave Komunë e nuk duhet të bëhen edhe pjesët tjera komuna siç janë Matiqani, Lagja e Spitalit etj, etj. Ai e ka motivin politik sepse i druhet humbjes katastrofale që do ta ketë edhe në Prishtinë edhe në shumë komuna tjera”,

Ndryshe, Beqiri thotë se themelimi i një komune të re në Prishtinë është jo vetëm antiligjor por edhe i palogjikshëm.

“Kjo i bie sikur me shku me ia marrë Tavnikun atje Mitrovicës ose Kapishnicën Pejës ose Tususin Prizrenit dhe me i shpall komuna. Kjo është e palogjikshme dhe e panatyrshme”, ka thënë ai.(express)