Jetojnë në qytet, infrastrukturën e kanë mesjetare
Gjilan – Rreth 140 familje në Lagjen e Gllamës tek rruga “Fehmi Agani” janë në hall nga rruga e keqe dhe kanalizimi i ngushtë. Shaban Arifi dhe Raif Latifi thonë se ka katër vite që rruga prej 1.5 km edhe pse është e paraparë në projekt ajo nuk po asfaltohet. Ne kërkojmë urgjentisht rregullimin dhe asfaltimin e kësaj rruge në të kundërtën do të jemi të detyruar që të protestojmë para zyrës së kryetarit të komunës.
Banorët e lagjes “Gllama” në rrugën “Fehmi Agani” kanë telashe me infrastrukturën e dobët dhe të vjetruar. Ata edhe pse jetojnë në qytet përballen me kushte mesjetare në mungesë të rrugës së asfaltuar dhe kanalizimit.
Shaban Arifi dhe Raif Latifi banor të vjetër të kësaj rruge thonë për rajonipress se janë të zhgënjyer në institucionet komunale të cilat nuk po tregohen të gatshme që ta përkrahin iniciativën e këtyre banorëve që të asfaltohet rruga prej 1.5 km. “Qysh mos me u nervozue kur jemi duke pritur qe katër vite e rruga nuk po asfaltohet. Vërtet është turp që kjo rrugë të mbetet në këtë gjendje” shprehet Arifi.
Edhe Raif Latifi thotë se me kohë i është bërë kërkesë edhe peticion me 150 nënshkrime që kjo rrugë të hyjë si prioritet i komunës, po ende po zvarritet asfaltimi i saj. “Vetëm fushata zgjedhore kur po vjen po na vizitojnë këta politikanët tanë. Nëse ata na injorojnë ne do të detyrohemi që të protestojmë edhe para zyrës së Lutfi Hazirit” shprehet Raifi.
Banorët thanë se në këtë rrugë ndodhet edhe një donator i cili jeton në Gjermani, por që ka ndihmuar një familje skamnore me 25 mijë euro./rajonipress/


