Jetojnë në qendër të qytetit, por ujë s`kanë as për ilaç
Gjilan – Banorët e qendrës së qytetit ka disa ditë që janë në hallë të madh për mungesë të ujit, krejt kjo për shkak se “Hidromorava” ka nisur të rregullojë kyçjet individuale të cilat pastaj shkaktojnë ndërprerje të ujit për disa ditë. Ramadan Ajvazi banor thotë se ka mbi 10 ditë që po terrorizohen nga këto punime.
Banorët e qendrës së qytetit janë në hall të madh për shkak se tani e disa ditë janë pa ujë të pijshëm dhe detyrohen që të bëjnë zgjidhje alternative.
Ramadan Ajvazi banor në qendër tha për rajonipress se “Hidromorava” po tregohet e papërgjegjshme sepse disa ditë radhazi e ka ndërprerë ujin dhe realisht s`kemi ujë as për ilaç. “Kjo vërtet është e papërgjegjshme nga ana e kompanisë. Këto ndërprerje të stërzgjatura po na vështirësojnë jetën dhe po e bëjnë të padurueshme zhvillimin normal të një qytetari që jeton në qendër të Gjilanit. “Hidromorava” ose duhet të punojë si duhet dhe shpejt ta zgjidhë problemin ose ne po jetojmë si të ishim në kohën e gurit” shprehet i mllefosur Ajvazi.
Por, Momin Morina zyrtar në “Hidromorava” i kontaktuar nga rajonipress tha se qendra e qytetit përkohësisht ka pasur ndërprerje sepse kemi filluar me kyçjet individuale. “Kompania kontraktuese është në përfundim, dhe ne i kuptojmë shqetësimet e banorëve, por gjithçka që po bëhet aty, po bëhet për të mirën e tyre” tha Morina./rajonipress/


