Jetishi: “Eco – Higjiena” nuk e përmbushi marrëveshjen me Komunën, s’ka hapa pozitiv në vitin 2015

Gjilan – Kryesuesi Komunal i Aksionerëve, në Kompaninë e Mbeturinave “Eco – Higjiena”, Xhelal Jetishi, në konferencën për media, lidhur me raportimin për vitin 2015, ka thënë se kjo kompani vetëm rreth 4% ka përmbushur marrëveshjen që ishte e paraparë nga dita e nënshkrimit për tre vitet e ardhshme, ndërsa nuk vërehen ndryshime pozitive as të afarizmit të saj, kur kemi parasysh obligimet, borxhet dhe inkasimin në të njëjtën kohë.“Për fat të keq nuk kemi ende zbatimin e marrëveshjes mes dy partnerëve.
Në këtë rast “Eco – Higjiena”, deri më tani ka përmbushur marrëveshjen rreth 4% dhe sipas raporteve, kur merren parasysh të hyrat dhe obligimet që janë në këtë kompani, del se nuk ka një afarizëm të suksesshëm të saj. Shpresojmë në përmirësim të gjendjes atje, sepse është interes yni i përbashkët”, ka thënë ai.
Jetishi, poashtu ka dhënë informacionet për shërbimet që janë kryer nga kjo kompani në shërbim të qytetarëve.
“Bazuar në pasqyrën e treguesve të performancës së kësaj kompanie për vitin 2015, në mënyrë permanente janë pastruar rreth 29 mijë m2 rrugë, grumbullim të mbeturinave mbi 27 mijë tonelata, duke pas parasysh që aty janë të punësuar 168 punëtorë, ka në pronësi 25 automjete dhe kanë të shpërndarë 1200 kontinierë”, ka thënë Jetishi ndër të tjerash.
Jetishi në fjalën e tij gjithashtu ka thënë se komisioni ka punuar dhe vazhdon angazhimin, që kjo kompani të mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme dhe në çdo kohë siguron mbështetjen në bazë ligjore për të siguruar operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sistemit të shërbimeve, rritjen e nivelit të bashkëpunimit për të arritur aktivitetet dhe objektivat sipas marrëveshjes, por edhe duke promovuar dhe mbrojtur interesat e ndërmarrjes publike në interes të Komunës.
Në fund, ai ka bërë të ditur se prioritetet për vitin 2016, janë projekti për separimin e mbeturinave në lagjen “Dardania” dhe “Dheu i Bardhë”, pastaj pajisja me 4 mijë konteinerë të ri dhe investimi në “Tregun e Gjelbër”thuhet në njoftimin e komunës./rajonipress/